Kalo te lënda

Paret i ha magjistralja

Disa banorë të një rruge që lidh Fshatin Mushtisht me atë të Vraniqit në komunën e Suharekës u gëzuan fort kur kuptuan që komuna e tyre ka vendosur ta asfaltojë rrugën që lidh këto dy fshatra.

Vendimi i bindi kur dëgjuan se ishin ndarë edhe të hollat për këtë asfalt. Prandaj edhe besuan se balta e pluhuri për ta do të marrë fund shpejt. Disa ditë më vonë, ata panë punëtorët teksa hiqnin asfaltin e vjetër për ta zëvendësuar me asfaltin e ri.

Prandaj edhe menduan se kjo punë do të përfundojë shumë shpejt. Madje, kujtuan se dimri nuk do t’i zë pa asfalt para shtëpive. Por, shpresat e tyre u këputën ashtu sikurse punimet në atë rrugë.

Prej se komuna hoqi asfaltin e vjetër, rruga ka mbetur e shtruar vetëm me rërë. Tash e sa muaj banorët e rrugës që lidh Mushtishtin me Vraniqin po marrin frymë me pluhur sa herë që një makinë kalon kah lagja e tyre. Rruga që mbeti pa asfalt duket se ka një arsye.

Paratë që u ndanë nga buxheti i komunës për rregullimin e kësaj rruge morën një destinacion krejt tjetër. E banorët aty e dinë mirë se pse ka ndodhur kjo. Ata thonë se paratë që janë ndarë për rrugën e tyre, komuna i ka përdorur për ndërtimin e hekurave të urës që ndodhet në qendër të Suharekës.

Të paktën ky është versioni të cilin e ka dëgjuar Driton Hamitaga, shtëpia e të cilit ndodhet shumë pranë kësaj rruge. “Një herë erdhën e nisën punën me një intensitet të lartë. Por, ka më shumë se dy muaj që punimet kanë ngecur…rruga ka mbet në zall, e në mbaruam prej pluhuri”, rrëfen Hamitaga për Express.

“E kam marr vesh nga fqinjët që janë interesuar në komunë…se paratë e rrugës tonë komuna i ka përdor për ndërtimin e hekurave të urës në Suharekë”, pohon ai.

Por, krejt tjetër version nga banorët e Mushtishtit kanë zyrtarët komunalë. Ata nuk e mohojnë faktin se paratë që janë ndarë për ndërtimin e kësaj rruge janë përdorur për një tjetër projekt. Megjithatë, sipas tyre, komuna nuk i ka përdor këto mjete për rregullimin e urës, ashtu siç mendojnë banorët.

Komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit i ka shfrytëzuar paratë e rrugës Mushtisht- Vraniq për të ndërtuar një rrugë krejt tjetër nga ajo që është premtuar se do të kryhet. Bali Muharremaj, ish nënkryetar i komunës së Suharekës, thotë se paratë e destinuara për ndërtimin e rrugës që lidh fshatin Mushtisht me fshatin Vraniq janë përdorur për magjistralen Suharekë- Reshtan.

“Ky veprim është bërë edhe me pëlqimin e Asamblesë Komunale”, tregon Muharremaj.

Lini një koment