Kushte për Serbinë
Heqja e strukturave ilegale të Serbisë nga Kosova, kërkim falja dhe dëmshpërblimi për dëmet e shkaktuara në Kosovë mund të jenë kushte që duhet të kërkohen nga Qeveria e Kosovës në rast të hapjes së dialogut politik me Serbinë, por nuk mund të ketë kushte të tjera përtej këtyre.
Njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, apo sigurimi i ulëses në OKB, nga subjektet politike konsiderohen si kushte të cilat Kosova nuk mund t’i vejë për të hyrë në dialog me Serbinë.
Nënkryetari i partisë në pushtet, PDK, Rrustem Mustafa thotë se nuk ka presion për dialog, porse Kosova nuk duhet t’i ikë dialogut.
“Ne nuk jemi në pozitë që të vëmë kushte, por jemi duke zhvilluar një proces normal, duke udhëhequr çdo ditë e më shumë me kushte më të mira, me rend më të mirë, me disiplinë dhe mentalitet më të mirë për shtetin, kështu që Europa për çdo ditë do ta kuptojë më qartë dhe do të na ndihmojë të ecim më tutje në integrimet evropiane”, tha Mustafa për Radio Kosovën.
Edhe sekretari i përgjithshëm i partisë më të madhe opozitare, LDK, Ismet Beqiri, konsideron se Kosova nuk mund të vejë kushte karshi BE’së, por ai thekson se Qeveria ka arsye të shumta që mos të pranojë të futet në dialog, duke u nisur nga moszbatueshmëria e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të zhvilluar deri më tani në Bruksel.
“Ka mjaft arsye Qeveria që të rezistojë dhe mos të pranojë çfarëdo dialogu, i cili nuk është në interes të vendit dhe po them se ky do të mund të ishte kusht. Në këtë formë mund të thuhej dhe nuk shohim si LDK të ketë bisedime dhe nuk ka asnjë urgjencë për bisedime. Për çka duhet të bisedohet tani, për çka?”, tha Beqiri.
Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, nga ana tjetër, përmend kushtet, të cilat, sipas tij, duhet ta plotësohen patjetër për të hyrë në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë.
“Kosova duhet të kërkojë që të hiqen të gjitha institucionet e Serbisë brenda territorit të Kosovës, duhet të kërkojë që Serbia si shtet i cili ka bërë agresion mbi Kosovën të kërkojë falje dhe të bëhet dëmshpërblimi i të gjitha dëmeve të shkaktuara në Kosovë”, u shpreh ai.
Analistët theksojnë se Kosova duhet të ketë garanci ndërkombëtare që në këtë dialog mos të dalë e dëmtuar, por paraprakisht duhet t’i vejë disa kushte në mënyrë që dialogu të jetë korrekt dhe përfundimisht Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin çështjet e hapura. Ndryshe, në seancën e Këshillit të Sigurimit të martën, shumica e shteteve anëtare thanë se çështja e veriut të Kosovës duhet të zgjidhet, por nuk specifikuan nëse kjo çështje duhet të shtrohet në dialogun e kërkuar politik./Indeksonline/