KFOR-i vendos dy pika kontrolli afër Zubin Potokut
Mitrovicë, 24 korrik – Misioni i NATO-së në Kosovë ka hapur për qarkullim magjistralen e ‘Adriatikut’, në veri të Kosovës, ndërsa që tani ka vendosur edhe dy pika të kontrollit në këtë rrugë, që të shpie për pikëkalimin kufitare G 3,1 në Bërrnjak të Zubin Potokut, bën të ditur korrespondenti i “Kohës Ditore”. Në anën tjetër në këtë pjesë veri-perëndimore të Kosovës vërehet një tensionim i situatës së sigurisë, ku grupe kriminale serbe po tentojnë të ndalojë qarkullimin e misionit Evropian, EULEX, në veri të Kosovës.
Vendosjen e dy pikave të kontrollim nga KFOR-i në këtë magjistrale e ka konfirmuar edhe policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, ka theksuar se KFOR-i me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave të premten, në orët e hershme të mëngjesit ka vendosur dy pika të kontrollit. Një pikë kontrolli nga ana e KFOR-it është vendosur në fshatin Zupç dhe tjetra në aksin rrugor Zubin Potok-Zveçan, pra në fshatin Jegenicë.
Në orët e mëngjesit sitat është më e qetë ka thënë Hoti dhe nuk ka qytetarë të cilët janë mbledhur në këtë rrugë. Në anën tjetër burime të gazetës kanë njoftuar se strukturat paralele serbe kanë dezinformuar banorët e kësaj ane se KFOR-i dhe EULEX-i do të tentojnë të marrin në kontroll objektin e Komunës paralele dhe stacionin e policisë në Zubin Potok. Pas kësaj dezinformate të enjten është lëshuar alarmi dhe ka pasuar tubime të qytetarëve me qëllim “të mbrojtjes së këtyre institucioneve”. Po ashtu këto burime kanë njoftuar se rrugët në veri të vendit janë bërë edhe arteriet kryesore të kontrabandimit të mallrave, e sidomos drogës dhe armëve. Për çdo ditë nga Serbia në Kosovë janë duke u transportuar armë të llojeve të ndryshme, kryesisht atyre të brezit. Një pistoletë e prodhimit të ri të Kragujevcit me 15 plumba, që ka zëvendësuar TT, ne tregun e zi është duke u shituar 1500 euro.
Lidhur me këtë trafikim të armëve nga Serbia ën Kosovë zëdhënësi i policisë për rajonin e Kosovës, Besim Hoti, ka theksuar se policia nuk ka informacion për këtë lloj të kontrabandimit të armëve.