Çeku: Nuk mërzitëm për ndryshimet në qeveri
Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku nuk e trembin paralajmërimet për ndryshime në kabinetin qeveritar.
Ai thotë që ndihet komod në Qeveri dhe se punën e tij bënë sikur nuk ka për t’u ndërruar asnjëherë, megjithatë çfarëdo qofshin vendimet, ai do t’i respektoj ato.
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në konferencë për media ka dal ministri i FSK-së, Agim Çeku. I pyetur nëse ka frikë nga humbja e ulëses ministrore, pasi që po diskutohet ndërrimi i partnerit të koalicionit, ai ka thënë se nuk e mendon një gjë të tillë dhe se nuk trembet nga vendimet.
“Unë ndihem shumë komod dhe unë jam shumë i prerë që do të punoj dhe asnjëherë nuk ndryshohem, por jam i gatshëm që të pranoj çdo vendim. Kështu që nuk ngarkohem me atë sa do të jemi në Qeveri, kur do të jemi, por ngarkohem vetëm me punë. Kështu që unë dhe ministrat tjerë ndihemi komod nga shkrimet që lexojmë në media”, ka thënë Çeku.
Madje ai ka thënë se fatin në Qeveri e lidh edhe pak nga puna e tij, që të jetë i përkushtuar qind për qind, ndërkohë që ka shtuar se kryeministri ka të drejt të ndryshoj cilindo ministër.
Ndërkohë në lidhje me thirrjen e kryeministrit për unifikim të spektrit politik sikurse në Rambuje, Çeku ka thënë se ato nuk janë thirrje frike të Qeverisë, por se, sipas tij, kur diskutohen çështjet madhore, është e udhës t’i bëhet ftesë për përfshirje edhe opozitës.
“Unë nuk mendoj se është frikë e qeverisë. Kjo është një dëshirë e qeverisë që në projektet madhor apo kur diskutohen çështjet e mëdha me rëndësi strategjike për vendin tonë të jenë pjesë dhe kjo është ftesë për opozitën që edhe ata të marrin pjesë, të jenë pjesë e vendimmarrjes për proceset që mund të dalin nga këto bisedime dhe nuk ka të bëjë me frikën. Qeveria ka kapacitete që edhe vetë t’i udhëheq këto bisedime”, ka theksuar ai.
Ndërkohë në lidhje me përgatitjet që janë duke u bërë për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, ministri Çeku ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme është duke punuar në agjendën e 10 shtatorit me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe nuk ka detaje më shumë. Por ai ka thënë se në qoftë se FSK-së i ofrohet ndonjë aktivitet ajo do të jetë e gatshme ta kryej.
Më pas, ai ka folur rreth vizitës së tij dhe disa ministrave në shtetin e Ioëa-së të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, është gjetur një mirëkuptim me këtë shtet në mënyrë që të ndihmoj Kosovën.
“Ajo çka mund të them se nga ana jonë ka qenë një prezantim shumë i mirë i dinjitetshëm, i kemi prezantuar të arriturat tona, i kemi prezantuar sfidat me të cilat përballemi dhe të gjitha kërkesat për mundësin që shteti Ioëa-së në sektor të ndryshëm mund të ndihmoj Kosovën. Dhe kemi hasur në një mirëkuptim jashtëzakonisht të madh”, ka theksuar Çeku.
Lidhur me këtë nga 2 shtator deri më 7 shtator do të qëndroj komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-së që të bisedoj me implementimin apo konkretizimin e gjitha atyre që janë dakorduar, harmonizuar në shtetin e Iowa-së, njofton kosovapress.
Ndryshe që nga 11 marsi i vitit 2011 Kosova ka vendosur partneritet shtetëror me Gardën e shtetit Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që nga ajo ditë ka pas një bashkëpunim shumë dinamik të bashkëpunimit ushtarak. Kjo ngjarje që ka ndodhur në Ioëa ka qenë aktiviteti i 27 mes trupave të FSK-së me Gardën Kombëtare të Iowa-s./standardi.info