Kalo te lënda

As pas një viti Policia nuk bënë Kallëzim Penal

Ishte data 27 maj e vitit 2011, kur 2 kilogramë eksploziv u larguan nga vetura e ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj. Eksplozivi me teledirigjues ishte montuar për ta hedhur në ajër veturën dhe vetë pronarin e saj. Por, fatmirësisht vetura e Tolajt në mesditën e 27 majit ishte dërguar për një kontroll në auto-servisin “Kaqanolli” në Zonën Industriale në Prishtinë, ku automekanikët arritën të kuptojnë se bëhet fjalë për diçka shumë serioze.

Nuk ka vonuar edhe shumë kur autoservisi ishte vërshuar prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Njësiti për de-minim pas një intervenimi të kujdesshëm arriti ta de-aktivizojnë mjetin, ku fillimisht ishte gjetur një telefon celular nën ulësen e shoferit e pastaj nën veturë edhe 2 kilogramë eksploziv të llojit TNT.

Rasti u hap dhe menjëherë filluan hetimet. Vetura “Opel Frontera” pronë e PROMT Prishtinë, u ekzaminua nga ekspertet e hetuesisë me qëllim që të zbulohet atentatori. Mirëpo edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit, organet e rendit dhe të drejtësisë nuk kanë arritur ta zbardhin akoma rastin.

Madje njësiti kundër krimeve të rënda në polici, i cili ka marrë përsipër hetimin e këtij rasti, nuk ka bërë as Kallëzim Penal për ta dërguar rastin në prokurori.

Çfarë provash po mbahen fshehur?

Burimet të Indeksonline bëjnë me dije se telefoni i cili ishte montuar në veturën e Tolajt për ta aktivizuar eksplozivin del të jetë përdorur për herë të fundit në Elbasan të Shqipërisë.

Telefoni ishte shitur në një “Mobi Shoop” në Elbasan, ndërsa pronar i tij rezulton të jetë një polic nga Shqipëria.

Policia kosovare nuk tregon nëse i posedon këto të dhëna, siç nuk tregon as deri në cilën fazë kanë shkuar hetimet përkitazi me këtë rast.

Liridona Kozmaqi- Hajdaraj, zëdhënëse për Prokuroritë e Kosovës ka deklaruar se, Prokuroritë e Republikës së Kosovës ende nuk kanë pranuar kallëzim penal nga Policia e Kosovës lidhur me rastin e vendosjes së eksplozivit në veturën e Ilir Tolajt.

Ndërsa zyrtarët policor thonë se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda gjatë gjithë procesit të hetimeve të zhvilluara lidhur me këtë rast ka qenë dhe është në koordinim të plotë me Prokurorin e lëndës nga PPQ-ja e Prishtinës, të cilit në vazhdimësi i janë dërguar raporte njoftuese lidhur me procedurat e ndjekura nga Policia.

Kapiten Baki Kelani ka thënë se, Kallëzimi Penal do të dërgohet në kohën e duhur dhe sipas kërkesës nga prokurori, duke u bazuar në grumbullimin e dëshmive.

“Procedurat dhe autorizimet e policisë për ngritjen e kallëzimit penal rregullohen me kapitullin XXIII të Kodit të Procedurës Penale, kapitull i cili përcakton obligimin e policisë për të njoftuar Prokurorin, qoftë përmes kallëzimit penal – qofte përmes formave tjera, e që në rastin konkret hetuesit kanë vazhduar me grumbullimin e provave dhe dëshmive për rastin dhe Prokuroria është njoftuar në vazhdimësi përmes raporteve për zhvillimin e hetimeve, pasi që e tille ka qenë kërkesa e Prokurorit”, ka thënë Kelani.

Menjëherë pasi që kishte ndodhur rasti, Njësiti për Mbrojtje të Afërt i Policisë së Kosovës filloi ta ruaj ish-sekretarin Tolaj. Ky i fundit kishte deklaruar për media se është intervistuar lidhur me rastin nga ekipet e policisë që janë duke e hetuar rastin dhe kishte thënë se është në bashkëpunim të ngushtë me ato.

“Fatkeqësisht, dyshimet e mia janë shumë shqetësuese sepse në prapavijë të gjithë kësaj më dalin disa individë që janë aktivë në politikë e në parlament, por që në të njëjtën kohë janë aksionarë në biznese të caktuara në Kosovë, shumica e tyre të ndërtuara mbi baza të dyshimta. Unë jam thellësisht i bindur se është në interes të qytetarëve të vendit, të institucioneve, të shtetit të ri të Kosovës, që rasti të zbardhet sa më parë dhe në plotësi, pavarësisht se kush mund të dalë i involvuar në të”, është citati i Ilir Tolajt dhënë një të përditshme kosovare pak javë pasi që kishte ndodhur rasti.

Mirëpo Policia e Kosovës thotë se veprimet hetimore lidhur me rastin janë shtrirë në shumë drejtime, mes tyre edhe intervistimi i shumë njerëzve për të cilët është menduar se mund te japin dëshmi relevante.

“Në mesin e të intervistuarve nga Policia janë edhe disa persona, të cilët pala i ka theksuar në deklaratën e tij si të dyshuar potencial. Deri me tani lidhur me këtë rast janë intervistuar dhjetëra persona”, thotë kapiten Baki Kelani.

Indeksonline ka kontaktuar me familjarët e Ilir Tolaj të cilët kanë deklaruar se prej që ka ndodhur rasti e deri tani asnjëherë nuk janë thirrur nga hetuesit për të dhënë deklarata shtesë ose për tu informuar rreth rastit.

Familja Tolaj, përveç këtij rasti, ishte përballur edhe me një krim tjetër të rëndë. Me datën 29.10.2010 një shpërthim i fuqishëm kishte ndodhur para shtëpisë së tij, e cila gjendet në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Bomba ka qenë e montuar në makinën e vajzës së Ilir Tolajt, e cila ishte e parkuar para hyrjes së shtëpisë. Fatmirësisht askush nga familja Tolaj nuk ishte lënduar fizikisht. Edhe ky rast vazhdon të mbetet i pazbardhur.

Derisa këto akte të rënda kriminale ende nuk janë zbardhur, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë po vazhdon të mbahet në paraburgim me dyshimin se ai ka keqpërdorur pozitën zyrtare. Këto ditë ai po ballafaqohet me organet e drejtësisë./Indeksonline/

Lini një koment