Arrestime në Prizren
Hetues rajonal të mbështetur nga Njësia Speciale operative, kanë bastisur një objekt hotelier në Landovicë, për të cilin ekzistonte dyshimi i bazuar se aty mund të gjenden armë ilegale dhe gjësende tjera të kundërligjshme pasi që në të njëjtin objekt, më parë ka pasur vrasje dhe plagosje, bëhet e ditur nga Policia e Kosovës.
Sipas policisë, gjatë bastisjes e cila ka qenë e autorizuar nga gjykata, janë gjetur dhe sekuestruar katër armë të mprehta (thika) dy sprejë dhe një pistoletë e llojit T T e kalibrit 7.65 mm e prodhimit jugosllav me shtatë fishekë, transmeton RTK.
”Në lokal policia ka identifikuar edhe shtatë femra të reja të cilat nuk posedonin leje pune dhe me këto po merret njësia kundër trafikimit me qenie njerëzore. Ndërsa pas orës gjashtë të mëngjesit janë bastisur edhe katër shtëpi në fshatin Zhur. Në këto shtëpi nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme”, thuhet në një komunikatë të policisë.
Gjatë këtij aksioni janë shoqëruar gjashtë persona të cilët do të merren në pyetje. Provat materiale dhe shkresat e lëndës do t’i dërgohen prokurorisë për procedura të mëtejme.