Kalo te lënda

Aksident në Sibovc të Podujevës, një e vdekur, katër të lënduar

Shtatëmbëdhjetëvjeçarja S. Lushaku ka ndërruar jetë mëngjesin e së premtes, në një aksident trafiku që ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Podujevë, në fshatin Sibovc. Në këtë aksident, ku janë përfshirë dy vetura, janë lënduar edhe tri femra tjera dhe një mashkull, por që të gjithë të së njëjtës veturë.

Sipas komunikatës së Zyrës për informim dhe marrëdhënie me publikun të Policisë në Prishtinë, thuhet se sot në orën 01:30, në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë, në afërsi të fshatit Sibovc, ka ndodhur një aksident trafiku ku për pasojë një person ka vdekur, ndërsa katër të tjerë janë lënduar.

“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira vetura e tipit “Renault” ngjyrë hiri, me targa të Kosovës, si dhe vetura e tipit “VË Jetta” ngjyrë hiri, po ashtu me targa të Kosovës, që të dyja në lëvizje në momentin e aksidentit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Mbështetur në rezultatet e para të ekzaminimit të vendngjarjes, hetuesit kanë ngritur dyshimin e bazuar se aksidenti ka ndodhur në momentin kur drejtuesi i automjetit “Renault”, i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi i Podujevës për në Prishtinë, me të arritur në segmentin e sipërcekur rrugor, ka kaluar në shiritin e kahes së kundërt të rrugës dhe është ndeshur direkt me veturën “VË Jetta”, e cila atë moment ishte duke lëvizur në kahun e kundërt në shiritin e rregullt”.

Si pasojë e këtij aksidenti në QKUK rreth orës 07:00 të mëngjesit ka ndërruar jetë, S. Lushaku, 17 vjeç, femër, pasagjere në veturën “VË Jetta”. Edhe katër personat e tjerë A. Lushaku, 16 vjeç, M. Lushaku, 21 vjeç, F. Lushaku, 25 vjeç, Sh. Lushaku, 17 vjeç, të gjithë udhëtarë të veturës “VË Jetta” kanë marrë lëndime. Ata po trajtohen në QKUK, ndërsa ngasësi i automjetit “Renault” (mashkull 36 vjeçar) është arrestuar dhe po mbahet në Qendrën Rajonale të Ndalimit në Prishtinë. /Telegrafi/

Lini një koment