Kalo te lënda

Suspendohet major Refki Morina

Major Refki Morina, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës, nga sot është suspenduar nga detyra për shkak se ndaj tij kanë nisur hetimet në lidhje me një rast te trafikimit.

Burimet e Indeksonline brenda policisë kanë konfirmuar se, Refki Morina është suspenduar me pagesë deri në një vendim tjetër.

“Ndaj majorit kanë nisur disa hetime dhe kështu jemi të detyruar ta suspendojmë nga puna”, thotë burimi për Indeksonline.

Ekpi ynë ka kontaktuar edhe me major Refki Morinen, i cili permes telefonit na ka deklaruar se ndodhet në pushim vjetor deri në fund të këtij muaji dhe se nuk është në dijeni aspak për këtë vendim te Drejtorit të Përgjithshëm, Shpend Maxhuni.

Jo zyrtarisht mësohet se, suspendimi i majorit ndërlidhet me rastin e fundit te operacionit “Unaza”, ku ishin arrestuar 11 persona si dhe ishin identifikuar 22 viktima të trafikimit, shtetase moldave.

Hetimet e para janë shtrirë në pisten se si kishin arritur këto viktima moldave në territorin e Kosovës pa dokumentacion të rregullt./Indeksonline/

Lini një koment