Kalo te lënda

Projekti që do ta shpëtoi Prishtinën nga të ftohtit

Sezoni i ngrohjes 2013-2014, do të jetë më i mirë për Kryeqytetasit. Kjo pritet të ndodhë nëse gjithçka shkon mirë në realizimin e lidhjes përmes gypave të “Termokosit” dhe Termocentralit Kosova B.

Drejtori i “Termokosit” Arsim Janova, ka bërë të ditur se gjatë kësaj vjeshte pritet të hapet tenderi për përzgjedhjen e kompanisë e cila do ti kryejë punimet, e vlera e të cilës shkon në 27 milion euro.

“Do të ketë dobitë e veta sepse do të ketë kapacitetet të duhura për ngrohjen e qytetarëve, pastaj do të ketë edhe ruajtje të ambientit sepse nuk do të lirohet CO2-shi, presim që ajo do të jetë një ngrohje e mjaftueshme dhe pa pas nevojë me përdorë energjinë elektrike. Gypat që do të shkojnë nga “Termokosi” në Kosovën B, nuk do të shkojnë mbi tokë si kanë qenë më herët, por tash do të shkojnë nën tokë”, theksoi Arsim Janova.

Një projekt i mirë, i lidhjes së dy ndërmarrjeve publike kishte ekzistuar qysh në vitin e 80, i përpiluar nga institute i IMKO-s.

Sa i përket projektit të ri, Luan Dobroshi shpreh dyshime që mund të jetë i suksesshme për shkak të problemeve të mëdha që ka “Termokosi” me mbledhjen e borxheve shumëmilionësh.

“Kur pe shoh sa borxhe i kanë qetarët KEK-ut dhe “Termokosit”, po më duket e pakuptim dhe e palogjikshme me investu pare të mëdha. Ky investim për mua kishte me qenë investim, jo për me zgjidh problemin në një anë, por edhe ngrohjes së kryeqytetit. Ai duhet me qenë investim fitimprurës, sepse është investim i madh”, ka thënë Dobroshi.

E nga ana tjetër drejtori i “Termokosit”, Arsim Janova pret që pas stabilizimit të furnizmit me ngrohje, qytetarët të nisin të paguajnë me rregull faturat.

“Ndoshta do të ketë variante të ndryshme të faturave të përbashkëta me KEK-un, po sidoqoftë janë ato variante që do të vinë me realizimin e projektit. Ne me projektin mundohemi që të bëjmë mënyrat më joshëse për qytetarët”, theksoi Janova për KTV-në.

Projekti i ri është paraparë që së pari të lidhet me blloqet e termocentralit  Kosova B, kurse pas mbylljes së tij do të realizohet lidhja me termocentralin Kosova e Re. E sfidë për “Termokos”-in mbetet zgjerimi i kapaciteteve të gypave brenda kryeqytetit për të furnizuar rregullisht me ngrohje dhe marrëveshja me KEK-un për çmimin që kësaj të fundit duhet paguar për shfrytëzimin e pajisjeve të tyre./Indeksonline/

Lini një koment