Pasuria shoqërore është vetëm e popullit
Prof. dr. Muhamet Mustafa, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se Serbia ka pësuar disfatë sa i përket pasurisë shoqërore, pasurisë që i takon Kosovës nga ish-federata. Askush, përveç popullit dhe institucioneve të Kosovës nuk asnjë të drejtë mbi pronën shoqërore dhe publike të Kosovës.
Kështu vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike, pas deklaratave të Drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Aleksandër Vulin, i cili ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese në Serbi duhet ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e privatizimit në tërë territorin e Kosovës që nga viti 1999.
Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, deklaratat e Drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Aleksandër Vulin, janë vetëm fjalë boshe. Deklaratave të Vulinit, se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e privatizimit në tërë territorin e Kosovës që nga viti 1999, zëdhënësja e AKP-së Arta Gosalci, i është kundërpërgjigjur, duke thënë se AKP, ka ekskluzivitetin e privatizimit të pronës shoqërore në Kosovë dhe jashtë saj, kudo që ndodhen asetet e ndërmarrjeve shoqërore të Republikës së Kosovës.
“Agjencia Kosovare e Privatizimit, vazhdon punën e saj dhe nuk pengohet nga deklaratat boshe politike. AKP ka ekskluzivitetin e privatizimit të pronës shoqërore në Kosovë, në bazë të kushtetutës dhe ligjit dhe ka obligim ligjor dhe kushtetues privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore të vendit tonë edhe jashtë territorit të Kosovës”, ka thënë Gosalci.
Ajo ka shtuar se Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka shtrirje gjithëpërfshirëse në tërë territorin e Kosovës. Gjithashtu ka të hapura edhe 3 zyra satelitore: Leposaviq, Shtërpcë dhe Graçanicë.
“E vërteta është se autoriteti i AKP-së njihet nga të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe ata të komunitetit serb, të cilët jo vetëm se janë pjesëtarë të stafit të Agjencisë por edhe blerës”, ka shtuar zëdhënësja Gosalci.
Ndërkaq, Prof. Muhamet Mustafa, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se Serbia ka pësuar disfatë sa i përket pasurisë shoqërore, pasurisë që i takon Kosovës nga ish-federata. Deklaratat e Vulinit, janë vazhdimësi e tendencave të Serbisë për të përvetësuar pasurinë e Kosovës, deklaron Mustafa.
“Është një blof i zakonshëm i politikës serbe, e cila është jashtë realitetit, jashtë kohës dhe hapësirës. Tendencat të tilla të Serbisë që të okupojnë pronën shoqërore dhe ta përvetësojnë pronën publike dhe shoqërore të Kosovës kanë pësuar disfatë në negociatat në Vjenë, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se para bashkësisë ndërkombëtare Kosova ka arritur të argumentojë që e gjithë pasuria që gjendet brenda kufijve të Kosovës u takon popullit të Kosovës.
“Populli i Kosovës i ka të gjitha autorizimet në kuadër të aranzhmaneve ndërkombëtare, pra UNMIK-ut, AKM-ja, tash AKP-ja i ka të gjitha autorizimet që ta menaxhojë, ta privatizojë, dhe ta investojë atë pronë në përgjegjësi të institucioneve dhe në pjesëmarrje të caktuar, në segmente të caktuara të bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Prof. Muhamet Mustafa, njofton dukagjini.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë ende shumë çështje të hapura. Pavarësisht dëmeve të shumta në njerëz dhe prona, të shkaktuar nga regjimi i viteve të ’90-ta i Serbisë, Kosova ende nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim./standardi.info