Kalo te lënda

Avokati Tmava: Nuk i frikësohem askujt përveç ligjit

Seanca e sotme gjyqësore për konfirmimin e aktakuzës të rastit Bukoshi e Tolaj dhe ndaj nëntë të tjerëve, ka nisur me deklaratat e prokurores së rastit, e cila ka reaguar ndaj deklaratave të djeshme që i ka dhënë para medieve Bajram Tmava, avokat i Ilir Tolajt, duke thënë se dje Tmava ka bërë shpifje ndaj saj.

Lidhur me këtë Tmava ka thënë se qëndron prapa deklaratave të tij, dhe ka shtuar se nëse prokurorja ka dëshmi, se ai i ka tejkaluar autorizimet e tij ligjore, të mos e kursejnë atë. Tmava ka pohuar se nuk i frikohet askujt, përveç ligjit, transmeton RTK.

“Unë derisa jam avokat mbrojtës nuk do t’ia lejoj askujt, e as prokurorëve vendorë, e as prokurorëve të EULEX-it, që të më shet dikush ‘dushk për gogla’. Prokurores sot haptas i kam dhënë përgjigje edhe qëndroj në tërësi prapa saj. Unë i kam thënë prokurores se jo nga një prokuror, por jam thirr në çështjen penale, në cilësi të dëshmitarit dhe si dëshmitarë të zotëri Tolajt, ajo është diskrecioni, konfidencialitet mes avokatit dhe mbrojtësit dhe është rreptësisht e kodifikuar, dhe mund të zbulohet një konfidencialitet i tillë vetëm atëherë kur të ekzistojë çështja e rrënimit të sistemit shtetërorë, në raste të terja asesi. Unë jam i gatshëm i kam thënë sot prokurores që për çdo akuzë që pretendon prokurorja se e kam kryer, e nëse kam dal jashtë suazave ligjore jam i gatshëm mu ballafaqu me të gjithë”, ka thënë ai.

Tmava gjatë seancës ka deklaruar, se deklarimet dhe qëndrimet e prokurores nuk i sheh ndryshe, po si presion ndaj tij dhe klientit të tij.

Lini një koment