Kalo te lënda

Reeker në Shkup për veriun e Kosovës

Arsyeja e vetme e vizitës së zëvendësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Philip Reeker në Shkup, janë bisedimet e ardhshme për veriun e Kosovës dhe reagimi eventual i shqiptarëve të Maqedonisë.

Lidhur me këtë çështje takimi kyç ka qenë ai me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, ku siç dihet bashkëbiseduesit diskutuan rreth përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës si dhe për nevojën e instalimit të dialogut të mirëfilltë edhe me Qeverinë e re të Serbisë si dhe procesit të reformave në Shqipëri përballë pritjeve të BE-së,transmeton portali “Zhurnal” duke iu referuar burimeve diplomatike.

Reeker ishte pjesëmarrës i takimeve të deritanishme (bashkë me Robert Cooper të BE-së) të Edita Tahirit me Stefanovicin në Bruksel dhe do të jetë edhe në bisedimet e reja.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti deri më tash ka qenë më i zëshmi nga shqiptarët e Maqedonisë në tërheqjen e vërejtjeve se opsionet, sikur copëtimi i Kosovës, shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe ndonjë opsion tjetër sikur ai i autonomisë serbe në Kosovë, mund të kenë efekte të dëmshme për gjendjen politike të sigurisë edhe në Maqedoni.

“Në rast se pretendohet ndryshimi i kufijve, për një rend të ri, për një konfiguracion të ri në Ballkan, atëherë askush nuk mundet të marrë përgjegjësi dhe të garantojë paqen në Maqedoni, sepse shqiptarët e kësaj ane mund të organizohen vet, në një front, për realizimin e aspiratave të tyre kombëtare”, pat kishte thënë Ali Ahmeti.

Shqetësime të njëjta sikur edhe BDI pati shprehur edhe partia maqedonase opozitare Lidhja social-demokrate (LSDM) duke thënë se kriza në veri të Kosovës mund të ketë pasoja negative për stabilitetin e Maqedonisë, transmeton “Zhurnal”. /Telegrafi/

Lini një koment