Kosova së shpejti me qendër të vizave
Në përputhshmëri me praktikat më të mira të ndjekura nga vendet anëtare të zonës Schengen, një ndër objektivat e Qeverisë së Kosovës është dhe vendosja dhe aplikimi i regjimit te vizave në pajtim me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Në këtë kuadër, Ministria e Punëve të Jashtme tashmë po bën përgatitje për themelimin e qendrës së vizave cila do të funksionojë në kuadër të kësaj ministrie.
Artan Behrami, këshilltar për Medie i ministrit Enver Hoxhaj ka konfirmuar përgatitjet për themelimin e qendrës së vizave e cila do të funksionojë në kuadër të Ministria e Punëve të Jashtme. Sipas tij, ky angazhim i MPJ-së në bashkëpunim me ministritë e linjës, është në funksion të përmbushjes së kritereve në proceset integruese.
Behrami thotë se kjo qendër ka rëndësi të posaçme duke pasur parasysh proceset integruese të Kosovës drejt mekanizmave të BE-së, çështjet e kontrollit dhe menaxhimit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të huaj në Kosovë si dhe aspektet praktike që lidhen me migracionin, azilin, çështjet e refugjatëve e deri tek hyrjet për arsye studimi, bashkimi familjar etj, raporton Express.
“Republika e Kosovës ka shfaqur përkushtimin maksimal për përmbushjen e shumë kritereve të cilat mundësojnë përafrim më rregullativën dhe praktikat e BE. Ndër to është dhe përkushtimi për kontrollin e kufirit shtetëror në përputhshmëri me praktikat më të mira të ndjekura nga vendet anëtare të zonës Schengen. Përveç faktit të përmbushjes së kritereve për harmonizim të sistemeve të brendshme me ato të Bashkimit Evropian, çështja e kontrollit dhe menaxhimit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të huaj në Kosovë shihet si e domosdoshme dhe nga një prizëm shumë praktik”, theksoi Behrami.
Ai bëri të ditur se me legjislacionin në fuqi përcaktohet se autoriteti qendror përgjegjës për lëshimin e vizave do të jetë Ministria e Punëve të Jashtme ku do të vendoset dhe qendra shtetërore e vizave.
“Përcaktimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme si autoritet qendror është vendosur duke konsideruar praktikat më të mira të cilat mbështeten në bashkërendimin e aktivitetit të misioneve diplomatike/konsullore me strukturën e tyre qendrore, Ministrinë e Punëve të Jashtme. Përveç këtij aspekti praktik, themelimi i qendrës së vizave në kuadër të MPJ, ndihmon në përpunimin e të dhënave, përkatësisht Sistemin e Informatave për vizat kosovare për politikat e ndryshimit të regjimit të vizave me shtetet respektove”, tha Artan Behrami.
Ditët e fundit, MPJ ka informuar për përgatitjet për hapjen e një ambasade në Australi, si dhe të një numri të konsullatave të përgjithshme, si në Strasburg, Gjenevë dhe Stamboll, të cilat së bashku me misionet e deritashme diplomatike dhe konsullore, do të lehtësojnë pajisjen në të ardhmen me viza, të qytetarëve të shteteve të cilat do të kenë nevojë për vizë për të udhëtuar në Kosovë./Indeksonline/