Kalo te lënda

Kapen 651 kg mariuanë, droga

IGUMENICE- Një sasi prej 651 kg lëndë narkotike e llojit mariuanë është sekuestruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Plataria të Igumenicës, 5 km në thellësi të tokës greke.

Policia greke bën të ditur se droga, me prejardhje nga Lazarati dhe nga Saranda ka hyrë në tokën greke me anë të një skafi. Policia e vendit fqinj sekuestroi skafin dhe ndaloi drejtuesin e tij i cili është shtetas grek, banor në Sajadhes, të Igumenicës. Droga është bllokuar në momentin kur po transportohej në kamionçinë. Policia ndaloi 5 persona prej të cilët  2 shqiptarë të cilët dyshohet se janë nga Lazarati dhe 3 shtetas grekë, informon korrespondenti ynë në Gjirokastër, Piro Nase.

Dyshohet se trafikantët nga Lazarati kanë transportuar drogën, e sistemuar në 15 çanta fillimisht në Sopot, më pas Delvinë, Sarandë dhe përmes detit ka kaluar në tokën greke. Nisin hetimet për të zbardhur detajet e trafikut.

Lini një koment