Kalo te lënda

Ivanoviq premton marrëveshje historike për Kosovën

Oliver Ivanoviq ka thënë se “marrëveshja historike” për Kosovën do të arrihet vetëm pasiqë Serbia të antarësohet në Bashkimin Evropian.

Oliver Ivanoviq, i cili deri tani ka mbajtur postin e të ashtuquajturit sekretar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se Bashkimi Evropian ka bërë një precedent në dy raste, atë të Irlandës së Veriut dhe Qipros, ku problemet janë zgjedhur pas integrimit të “territoreve në Bashkimin Evropian, pa implementimin e ligjeve evropiane derisa janë arritur marrëveshjet”.

Ivanoviq ka thënë se duke zbatuar këtë lloj zgjidhje, Serbia do ti bashkohet Kosovës si pjesë e saj, por legjislatura evropiane nuk do të zbatohet në Kosovë derisa marrëdhëniet janë zgjidhur.

Ai ka thënë se ky është edhe interpretimi i tij për fjalimin e kryeministrit serb, Ivica Daçiq në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili tha se Serbia nuk do të heqë dorë nga “territori i saj në Kosovë”.

“Vetëm pasi Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, mund të fillojnë të dalin kushtet për bisedime serioze dhe marrëveshje historike për Kosovën, në mënyrë që të ketë stabilitet në vendet e rajonit të Ballkanit perëndimor”, citohet të ketë thënë Ivanoviq./Indeksonline/

Lini një koment