Hetimet nuk vazhdojnë për vjedhjen në dhomën e dëshmive!
Janë bërë më shumë se tri vjet që kur Policinë e Kosovës e kishte goditur skandali më i madh prej që është themeluar ky institucion. Persona që ende nuk janë identifikuar, kishin arritur që nga dhoma e deshmive që është më sigurinë më të lartë në polici, të vjedhin rreth 50 kg drogë dhe shumë gjëra të tjera me vlerë.
Shumë zyrtarë të lartë qeveritare e në polici kishin deklaruar se ky rast është drejt zbulimit dhe shumë shpejt pritet arrestimi i tyre, mirëpo këto deklarata nuk dolën aspak të vërteta.
Blerim Krasniqi, zëdhënës në EULEX ka deklaruar për Indeksonline se hetimi në rastin e vjedhjes në dhomën e dëshmive në Prishtinë është pezulluar teknikisht në mënyrë që të mos shpenzohet afati kohor për hetim që është paraparë me ligj. Sipas Krasniqit, ky rast është duke u shqyrtuar nga prokurori.
Fillimisht rasti ishte hetuar nga Policia e Kosovës e cila kishte formuar edhe një Task Force, pastaj rasti ka kaluar në Prokurorinë Speciale e tek zyrtarët e EULEX-it, mirëpo askush nuk arriti ta zbardhë skandalin që ja humbi imazhin Policisë më të re evropiane.