Kalo te lënda

Edi Ramës nuk ka kush ti shkruajë

Kreu i PS-së, dëshpërimisht ka ngelur sot i vetëm në shtëpinë opozitare. Pavarësisht notave optimiste, për të trimëruar veten më shumë se sa për të trembur ndokënd me frontin virtual më të madh opozitar, në një llogari të thjeshtë shihet se e zyrtarisht atij i ka mbetur aleat vetëm Skënder Gjinushi. Këtu nuk përmendim dy partiçkat e reja të sapo krijuara, që qëllojnë me top nga të munden e si të munden… Por, topi, top është dhe nuk i dihet se kur dhe si kërcet

Kreu i partisë Socialiste në intervistën e fundit për shtyp deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme do të shkojë me frontin më të madh opozitar. Modeli i bashkimit të partive opozitare pa dallim programor a ideor është justifikuar me politikën e “përtej së majtës dhe së djathtës”.
Ideja e bashkimit kundër “armikut” të supozuar është një ind i së majtës së pa reformuar që shfaq sa herë në publik teke të një nervi monist.
Megjithatë sot për sot Rama ka ngelur i vetëm në shtëpinë opozitare në shoqërinë  e Skënder Gjinushi, pasi si Paskal Milo, Nard Ndoka ashtu dhe Vangjel Dule janë distancuar prej kësaj formule opozitare qëkurse kryetari i Partisë Socialiste deklaroi nisjen e “kursit të ri”. Ky kurs parashikonte afrimin në gjirin e opozitës dhe të pakënaqurve të pushtetit në krye të sistemit të drejtësisë dhe në krye të shtetit, përkatësisht ish-nënkryetarin Kreshnik Spahiu dhe ish-kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Bamir Topi, të cilët janë futur në politikë nga dritarja e formacioneve të reja politike.
Së fundmi Rama konkretizoi “kursin e ri” me thithjen në magnetin opozitar të grupit të faqezinjve sipas formulës së deklaruar prej Kreshnik Spahiut: “Po shqyrtojmë taktikat elektorale dhe koalicion të forcave patriotike nacionaliste, atdhetare”.
Ndërsa i shkeli syrin Topit dhe FRD-së, që si “forcë e re politike, për FRD-në dhe Topin, është e rëndësishme të konsolidohen të marrin qëndrim si edhe vendim se në çfarë tregu politik do të operojnë”. Por topi, si top, nuk dihet se nga kërcet…
Kësisoj, kryetari i PS po përpiqet të stukojë imazhin e krisur të një opozite të përçarë në shumë copa.
Pa dyshim Skënder Gjinushi, Vangjel Dule, Spartak Ngjela dhe Paskal Milo janë treguar të ftohtë, cinikë, kalkulatorë në marrëdhënie me kreun e opozitës dhe ecin me këmbë në tokë. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë një lider që bën për 2 vite thirrje për revolta popullore në demonstratat e opozitës dhe pastaj manovron 180 gradë për t’u hequr krejt papritur si një politikan liberal, që shkruan, pikturon, këndon dhe jepet pas batutave. Ndryshimi i beftë pa u konsultuar bashkërisht  të kursit politik nga ana e partisë Socialiste sidozot ka lënë të pakënaqur një pjesë të mirë të aleatëve të saj. Pakënaqësi që janë shprehur jo vetëm nëpër komunikime mediatike  por që janë shfaqur edhe në formën e refuzimit publik të ftesave për takime të frontit opozitar. Në fakt, Gjinushi, Ngjela, Dule e Milo si drejtues opozitarë janë keqpërdorur si frymëzues të linjës radikale dhe sot e kësaj dite e kanë të vështirë të përtypin qëndrimet e dyzuara të kreut të PS-së. Në të kundërtën, Rama tani për tani i ka dubluar me  faqezinjtë dhe Frymën derisa të nënshtrohen përfundimisht.

Lini një koment