Berisha: Opozita deklarata shpifëse dhe ziliqare, po tremb investitorët e huaj
Kryeministri Sali Berisha ka dënuar sulmet ziliqare dhe trillimet e opozitës se kur të vijë në pushtet nuk do të njohë asnjë koncesion të dhënë nga qeveria. Në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave, Berisha ka theksuar se këto deklatata kërcënojnë investitorët. “Këto deklarata ziliqare, keqdashëse, të cilat kërcënojnë investitorët se nuk do njohin këto marrëveshje, se po jepen ujëra me koncesione, janë shpifje dhe trillime të pandershme. Absurditeti i tyre nuk është përfilluar nga investitorët vendas dhe të huaj”- tha Berisha. Sipas tij, nuk ka shqiptar që mund të votojë ata që thonë do kthejmë kohën mbrapa, ata që duan të privojnë shqiptarët nga pasuritë e tyre dhe vetë pushimet i kalojnë në krociera. “Sa më shpesh të dilni të nderuar zotërin largoheni me shpejtësi të rrufeshme nga vizioni i pushtetit” iu drejtua kryeministri opozitës. “Ata që duan t’i privojnë shqiptarët dhe pushimet i kalojnë nëpër krocera dhe janë bërë virtual. Shqipërinë dixhitale nuk e nisëm për të krijuar opozitën virtuale. Rrjetet sociale nuk duhet të deformojnë qëllimin e tyre ato janë për të shumuar komunikimin mes njerëzve”- shtoi Berisha. Gjithashtu kryeministri Berisha i është referuar sërish sot energjisë së rinovueshme duke e cilësuar këtë një përparësi për qeverinë shqiptare. Ndërsa ka njoftuar edhe ndërtimin e 5 hidrocentraleve për të cilat është firmosur së fundmi, kryeministri shtoi se janë përfunduar 72 hidrocentrale me kapacitet prej 125 megavat. Nga 443 hidrocentrale që parashikohen të ndërtohen në mbarë territorin vendit, sipas tij është dëshmuar interes i madh nga biznesi për 331 prej tyre dhe ky interes vazhdon në rritje. “Në këto HEC-e me të cilat Ministria ka firmosur mbi 115 prej tyre, ka përfunduar ndërtimi i 72 prej tyre. Këto Hidrocentralet që kanë përfunduar kanë kapacitet prej 125 megavat. Në shtator pritet të bashkëngjitet dhe projekti më i madh që ndërtohet deri tani që është projekti i Ashtës, i cili në llojin tij përbën një risi botërore pasi ka numrin më të madh të turbinave të përdorur ndonjëherë”- tha ai. Kryeministri Berisha i ka cilësuar shumë të rëndësishme ndërtimin e këtyre veprave, jo vetëm për fuqizimin e sistemin energjetik, por së pari janë një sipërmarrje e fuqishme punësimi, cili është edhe prioriteti kryesor i qeverisë së tij. “Janë në ndërtim mbi 50 të tjera, në të cilat janë të punësuar mijëra punëtorë inxhinierë dhe teknikë të fushës. Për në punësimi mbetet përparësi e të gjitha përparësive, por punësimi i shpërndarë falë këtyre veprave është jashtëzakonisht i mirëpritur, pasi këto janë vendosur kryesisht në zonën malore verilindore e juglindore të vendit, zonë e cila ka probleme të mëdha me të ardhurat dhe punësimin”- theksoi Berisha. Më tej, kreu i qeverisë shtoi se se këto HEC-e rritin ndjeshëm të ardhurat në komunitetet lokale, por efekti dhe rezultati i tyre më i qëndrueshëm dhe më afatgjatë është sepse ato garantojnë shqiptarët që gradualisht Shqipëria shkëputet përfundimisht nga ndikimi injukturor i çmimit të energjisë, pasi energjia ujore është energjia me koston më të ulët që ekziston. “Duke fuqizuar kapacitet e prodhimit të energjisë së ujit në konsolidojmë një nga shtyllat e rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, hidrocentralet më efektin e tyre pozitiv që trashëgohen dhe nuk lënë asnjë faturë negative, por përbëjnë një nga asetet më të mira e më pozitive, më më vlerë që ata që vijnë pas nesh do i kenë”- nënvizoi kryeministri. Gjithashtu ai informoi që në Shqipëri me kontratat e firmosura deri më sot është firmosur ndërtimi i veprave energjetike prej 1400 megavat, pra 20% më shumë se kapaciteti ekzistues i sotëm dhe kapin një investim mbi 2 miliardë euro. Kryeministri Berisha garantoi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për të shfrytëzuar çdo burim ujor për shndërrimin e tij në energji elektrike . Ligji i miratuar në 2007-ën sipas tij u jep garanci investitorëve për hartimin e projekteve për ndërtimin e tyre, duke u bazuar edhe në garën transparente. Shqipëria sipas tij po i zhvillon kapacitetet tërësisht e bazuar në iniciativën e lirë, duke mos shpenzuar asgjë nga buxheti i shtetit. “Është absolutisht një nga rastet më të rralla, pasi mjedisi që kemi krijuar ne, është shndërruar në magnet për investitorët. Të gjitha këto ujëra janë derdhur në shekuj të fjetura ose të papërdorura, kurse sot ato marrin një vlerë të jashtëzakonshme. Histori e shkurtër nisi nga viti 2007 me miratimin ligjit që u jep garanci investitorëve privatë dhe i nxit ata se në Shqipëri ia vlen të konsiderosh hartimin e projekteve për ndërtimin e HEC-eve. Këto gara vazhdojnë se kanë qenë transparente dhe në këto gara ka dominuar transparenca maksimale”- theksoi shefi i qeverisë, i cili akuzoi opozitën për deklaratat keqdashëse të saj dukë kërcënuar investitorët, por që absurditeti nuk është përfillur prej tyre. Ndërsa ironizoi kreun e PS, që siç tha kryeministri, ka krijuar opozitën virtuale në rrjete sociale. “Shqipërinë dixhitale nuk e nisëm për të krijuar opozitën virtuale, por që shqiptarët të kenë shërbimet më të mira dhe të njohin zhvillimet më të mëdha. Rrjete sociale nuk duhet t’i deformojnë qëllimet e tyre”- deklaroi Berisha.
Berisha: Obelisk për viktimat e komunizmit Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Kulturës, Aldo Bumçi që të përcaktojë vendin për ndërtimin e Obeliskut të viktimave të komunizmit, nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar. “Duhet të jetë produkt i studiove më të mira botërore. Të bëhet një konkurs ndërkombëtar, sepse nëse ka një komb që duhet të shprehë maksimalisht për këtë nderim, jemi ne, që hoqëm terrorin më të egër. Procesi të përshpejtohet, të përcaktohet një vend dhe një përmendore, në nderim të atyre që u ekzekutuan për bindjet politike, pa gjyqe dhe që janë një numër shumë i madh i popullatës. Ta ngremë në respekt të tyre dhe të kujtesës kombëtare”.
Qeveria vendos përgjysmimin e listës së materialeve të importit për riciklim
Këshilli i Ministrave vendosi sot në mbledhjen e radhës përgjysmimin e listës së materialeve të importit për riciklim, i cili vjen pas konsultave me shoqërinë civile. Duke e përshëndetur këtë vendim Berisha tha se ky është rezultat i një konsulte me shoqërinë civile, e cila ka kërkuar që tani pas një viti vëzhgimi, ato materiale që nuk janë kërkuar deri sot për riciklim, përveç hekurit, letrës e plastikës. “Këto materiale që gjatë këtij viti, nuk janë kërkuar të importohen, të hiqen nga lista. Mendoj se është veprim pragmatik, ndonëse se lista është 460, pavarësisht se pas marrjes së statusit ajo nuk do të bllokohet më. Por në këtë situatë, në raport me zërin e shoqërisë civile që ka meritë të madhe ndaj mjedisit. Edhe kur gabojnë ndonjëherë nuk ka rëndësi, rëndësi ka që ato bëjnë avokatinë e mjedisit”- tha kryeministri.
Kontrolle të rrepta ndaj arsimit publik dhe privat Qeveria mori vendim sot edhe për forcimin e kontrolleve ndaj arsimit publik dhe privat. “Arsimi ka arritur të mobilizojë fonde të mëdha nga sektori privat. Kështu që duke bërë kontrolle rigoroze, duke konsoliduar mekanizmat e kontrollit, nuk mund të ndalim, dhe është e domosdoshme të aplikojmë ligjin për shkollën. Do japim tokë për ata që ndërtojnë shkollë. Jemi gjithnjë e më shumë dinamikë, por nesër do vendosim mekanizmin për të ketë cilësi”- deklaroi Berisha, i cili u bëri thirrje institucioneve që të shndërrohen në “NON Profit” në mënyrë që të ecin të sigurtë drejt cilësive dhe konsolidimit të tyre. “Nuk ka asnjë problem me statusin aktual, por rikujtojë se në vendin model të arsimit privat, SHBA, shumica dërrmuese janë non-profit. Kështu zgjidhet kundërshtia me Ministrinë e Financave, që kërkon zbaton zbatimin e rregullave nga të gjitha bizneset. Kjo nuk pengon qeverinë që ta nxitur iniciativën e lirë në këtë sektor, të arsimit e shëndetësisë. Por këto impakti me shoqërinë është i vecantë dhe i domosdoshëm”- theksoi ai.