Kalo te lënda

AAK, s’di nga t’ia mbaj

AAK akoma nuk ka marrë qëndrim të prerë nëse do t’i bashkohet ose jo PDK-së në bashkëqeverisje. Disponimi dihet paraprakisht-Ramushin kryeministër!

Pavarësisht disponimit të Blerim Shalës, nënkryetarit të AAK-së, për një koalicion të mundshëm me PDK-në, me Ramush Haradinajn kryeministër, zyrtarët e tjerë të kësaj partie opozitare thonë se partia akoma nuk ka qëndrim zyrtar për këtë, shkruan “Zëri”.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmeti Isufi, i cili është konsideruar si bashkëpunëtori më besnik i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se AAK deri tash nuk ka qëndrim zyrtar sa i përket koalicionit me PDK-në e Hashim Thaçit.

“Aktualisht nuk ka qëndrim zyrtar. Mundësia e një koalicioni me PDK-në më shumë është spekulim, për shkak të dobësimit dhe gjendjes së paqëndrueshme të kësaj qeverie”, ka thënë Isufi, sipas të cilit, për shkak të pushimeve, nuk është mbledhur kryesia për të marrë një vendim të tillë.“Presim që në ditët e ardhshme të flasim dhe të kemi qëndrimin zyrtar rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Isufi.

Ai ka thënë se edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve të fundit, AAK ka pasur opsion për koalicion me PDK-në me Ramushin kryeministër, pasi që siç ka theksuar ai, ka pasur interesime të shumta.

E nga ana tjetër sekretari i AAK-së, Burim Ramadani, është i prerë që nuk ka koalicion pa Ramushin kryeministër.

“Nuk ka logjikë që AAK të jetë në qeveri pa Ramushin kryeministër”, ka qenë i prerë Ramadani duke i quajtur ofertat e tjera si ‘hajgare’. “Të gjitha ofertat pa Ramushin kryeministër janë hajgarellëk. Qëndrimet që dalin nga AAK janë të unifikuara që Ramushi të jetë kryeministër. Nuk ka asnjë njëri nga AAK që thotë se mund të hyjnë në koalicion pa Ramushin kryeministër”, ka thënë Ramadani. /Telegrafi/

Lini një koment