Kalo te lënda

Thyhet lapidari i Strehimit të Ipeshkvijve në Zym

Në Zym të Hasit në natën në mes të dielës dhe të hënës, persona ende të panjohur kanë thyer lapidarin e Strehimit te Ipeshkvijve gjatë viteve 1702-1752.

Përfaqësuesit e Klubit letrar “Shtjefën Gjeçovi” të Zymit i kanë njoftuar organet përgjegjëse të Policisë së Kosovës, të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe e kanë bërë hulumtimin e duhur, por ende nuk ka të dyshuar.

Në njoftimin për media thuhet se personat e panjohur i kanë thyer plotësisht tri pllakat e ipeshkvijve dhe pllakën që i kushtohet 310-vjetorit të strehimit të ipeshkvijve në Zym.

“Klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” i Zymit, si organizatori kryesor i manifestimit tashmë tradicional letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, që u mbajt për të 41-ën herë me radhë pa asnjë ndërprerje, më 15 prill të këtij viti, bënë zbulimin e lapidarit në 310-vjetorin e strehimit te ipeshkvijve gjatë viteve 1702-1752, kohë kjo kur për shkaqe të sigurisë nga hordhitë barbare otomane, në Zym ishte strehuar Ipeshkëvia Shkup-Prizren”, thuhet në kumtesë.

Këtë lapidar e pati zbuluar Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës së bashku me Imzot Dodë Gjergjin, ipeshkvi i Kosovës dhe koreografen Lajde Kolgjeraj.

Lini një koment