Kalo te lënda

Parlament për serbët e veriut

Serbia ka hequr dorë përkohësisht nga ideja e ndarjes së veriut nga Kosova, por ajo vazhdon të mbetet një dëshirë për më vonë.

 

Burime ndërkombëtare të “Zërit”, përfshirë edhe ato amerikane kanë thënë se pushteti aktual në Serbi po lobon fuqishëm gjatë takimeve që kanë me ta duke shtyrë para idenë e një parlamenti që do vinte si rezultat i zgjedhjeve në veriun e Mitrovicës dhe tri komunave të tjera, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Zyrtari ndërkombëtar që i ka zbuluar “Zërit” detaje nga disa takime të tri vendeve të Quintit, SHBA-ve, Britanisë dhe Gjermanisë me përfaqësues të pushtetit serb, thotë se kjo ide është shfrytëzuar që të bindet faktori vendor në Kosovë që të arrijë konsensus pasi kështu më kollaj kundërshtohet propozimi i Serbisë.

“Ideja është që përpos zgjedhjeve për pushtetin lokal, komunat të zgjedhin edhe deputetë të një asambleje për veriun me të drejta ekzekutive të cilat janë të njëjta me ato që iu ofron serbëve në Kosovë edhe Pako e Ahtisaarit. Sidoqoftë, zgjedhja e deputetëve të një asambleje të veçantë për tërë veriun është ajo për të cilën duhet shqetësuar në Kosovë pasi kjo lë të kuptojë se Serbia nuk ka hequr dorë tërësisht nga ideja e ndryshimit të kufijve”, ka thënë një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti.

Kjo i është bërë e ditur qeverisë së udhëhequr nga Hashim Thaçi, një pjesëtar i së cilës i ka thënë “Zërit” se pushteti në Beograd ka edhe dy sugjerime të tjera që po i shtyn para gjatë takimeve me Quintin. /Telegrafi/

Lini një koment