Kalo te lënda

MPJ me Zyrë koordinuese për ambasadat

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka filluar krijimin e një Zyre koordinuese për ambasadat e saj. Deri më tani i gjithë komunikimi në nivelin diplomatik është bërë nga ambasadorët tek ministri apo stafi i tij i ngushtë. Tani, sipas Artan Behramit, këshilltar i ministrit të jashtëm, raportimi i ambasadorëve do të kaloj së pari nëpër Zyrën koordinuese.

Komunikimi i stafit diplomatik të Kosovës nuk do të bëhet më në linja të shpërndara siç ka qenë deri më tani. Përmes Zyrës koordinuese Ministria e Punëve të Jashtme pretendon të përmirësojë rrugën e komunikimit të ambasadave të Kosovës me linjën tjetër të hierarkisë diplomatike.

Artan Behrami, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, ka thënë se raportet e ambasadorëve tani kalojnë së pari përmes kësaj zyre e cila më pas bën adresimin tyre varësisht kujt i drejtohen.

“ Kjo do të merret vetëm me raportet e ambasadorëve që ata i dërgojnë. Ato merren nga kjo zyrë dhe nëse i drejtohen ministrit i dërgohen vetëm ministrit nëse i dorëzohen adresave specifike u dërgohen atyre. Pastaj rekomandimet që u dërgohen vijnë në këtë zyrë dhe pastaj u dërgohen ambasadave”, ka thënë Behrami.

Përveç kësaj, kjo zyrë sipas Behramit do të krijoj bazën e një trashëgimie të punës së ambasadorëve kosovarë.

“Tash do të kemi një memorie se çka kanë shkruar ambasadorët tanë brenda një viti çfarë kanë kërkuar ata . Nëse ngritet një problem i caktuar dhe adresohet në këtë zyrë, kjo zyrë pastaj e përcjell çështjen e këtij problemi është kryer apo jo”, ka thënë Behrami për Radio Kosovën.

Zyra e koordinuese do të trajtojë vetëm raportet e njëzet ambasadorëve dhe të ngarkuarve me punë sa ka aktualisht Kosova. Kjo përjashton komunikimin me 13 misionet konsullore të Kosovës, linja komunikuese e të cilave mbetet njëjtë si deri më tani. /Telegrafi/

Lini një koment