Berisha: Emigrantët do kenë mundësi që të votojnë
Kryeministri Berisha ka pritur gjatë ditës së sotme një përfaqësi të emigrantëve shqiptarë në Greqi, të quajtur Përfaqësuesit e Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë.
Deklarata e Kryeministrisë për këtë takim është pothuajse patetike, duke qenë se nga të dyja anët shprehet një mirënjohje dhe përzemërsi hipokrite, pot ë kihet parasysh se sat ë diskriminuar janë emigrantët shqiptarë në Greqi dhe sa pak ka bërë qeveria shqiptare për të mbrotjtur të drejtat e tyre.
“Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një takim, me përfaqësues të Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shprehu mirënjohjen e tij më të thellë dhe të qeverisë shqiptare për kontributin e tyre në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare, në forcimin e marrëdhënieve miqësore e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë, ku ata jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë, por edhe për kontributin që ata japin në ekonominë, jetën e shoqërinë e shtetit fqinj.
Përfaqësuesit e Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë e falenderuan përzemërsisht Kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe i shprehën mirënjohjen e tyre më të thellë për arritjet e qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në transformimin rrënjësor të Shqipërisë, në të gjitha fushat, duke përfshirë sektorin ekonomik, infrastrukturat e rëndësishme rrugore e të tjera, çuarjen përpara të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në NATO, etj.
Ata e falenderuan në veçanti Kryeministrin për vëmendjen, mbështetjen dhe përkujdesjen që qeveria shqiptare dhe ai personalisht kanë treguar ndaj kërkesave dhe shqetësimeve të emigrantëve.
Kryeministri Berisha i siguroi ata se qeveria shqiptare ruan në përparësitë kryesor të axhendës së saj marrëdhëniet me vendet, ku jetojnë dhe punojnë emigrantë shqiptarë, përkujdesjen për adresimin e problematikave që ata hasin, në shërbim të përmirësimit të mëtejshëm të kushteve të jetesës së tyre, por edhe në shërbim të ruajtjes dhe promovimit të vlerave e identitetit kombëtar, gjuhës e traditave të larta të vendit e kombit tone”, thuhet në deklaratën e tipit enverist të Kryeministrisë.
Por, pjesa më e rëndësishme e njoftimit të Kryeministrisë dhe që nuk është theksuar fort, është fakti se Berisha u ka premtuar atyre, që qeveria shqiptare do të garantojë të drejtën e votës për emigrantët, në vendet ku ata jetojnë.
“Kryeministri Berisha rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të tij, të qeverisë shqiptare e të Partisë Demokratike që emigrantëve shqiptarë t`u garantohen kushtet e nevojshme si për pjesëmarrjen në jetën politike në Shqipëri, ashtu edhe për ushtrimin e të drejtës së votës në vendet ku ata jetojnë”, thuhet në deklaratë.
Fakt është që në këto 7 vite, qeveria nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar të drejtën e votës së emigrantëve, pavarësisht kërkesës së opozitës. Dhe, pavarësisht se kryeministri nuk ua ka thënë në takim, edhe në zgjedhjet e 2013-s, emigrantët që ndodhen jashtë vendit, sërish nuk do të kenë mundësinë që të votojnë.