Kalo te lënda

Veriu injoron pavarësinë e plotë të Kosovës

Autoritetet e Kosovës po përgatiten që ta përfundojnë mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës, gjë që pritet të ndodhë në shtator, por ndaj këtij fakti serbët e veriut të Kosovës do të qëndrojnë indiferentë, vlerësojnë politikanët serbë të kësaj pjese të vendit.
Politikani nga veriu i Mitrovicës, Marko Jakshiq, i cili aktualisht është deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë, se serbët e veriut janë të orientuar që të jetojnë nën shtetin e Serbisë dhe përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës nuk do t’iu bëjë përshtypje.
“Këtu, në veri të Kosovës, ekzistojnë institucionet e shtetit serb. Populli është orientuar dhe i vendosur që të jetojë në shtetin e Serbisë dhe ta respektojë Kushtetutën zyrtare të Serbisë, e cila thotë se Kosova është pjesë e këtij shteti. Populli edhe më tutje do të sillet ashtu siç është sjellë gjatë 13 vjetëve të fundit. Prandaj, populli nuk do ta pranojë një shtet tjetër të huaj”, thotë Jakshiq.
Mendim të ngjashëm shpreh edhe politikani tjetër serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq, ish-zyrtar i qeverisë paraprake serbe. Ai thotë se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës nuk do t’i ndryshojë gjërat në terren.

Ky fakt nuk do të prodhojë implikime të veçanta te serbët, sepse me këtë pavarësi të Kosovës jetojnë mjaft serbë, por nuk e pranojnë atë…

“Ky fakt nuk do të prodhojë implikime të veçanta te serbët, sepse me këtë pavarësi të Kosovës jetojnë mjaft serbë, por nuk e pranojnë atë, e sidomos serbët që jetojnë në veri.  Prandaj, asgjë domethënëse në terren nuk do të ndryshojë. Do të vazhdojmë të jetojmë edhe më tutje – serbët me besimin se jetojnë në kuadër të Republikës së Serbisë, ndërkohë që për shqiptarët kjo datë do të jetë domethënëse”, shprehet Ivanoviq.
Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës tashmë kanë ritheksuar se nuk do ta përdorin dhunën si mjet për zgjidhjen e çështjes së veriut të vendit, si dhe për integrimin në institucionet e Kosovës të serbëve që jetojnë atje.

Lini një koment