Ngordhin disa gjedhe në Mushtisht, ende nuk dihen arsyet
Në fshatin Mushtisht të Komunës së Therandës, ka ndodhur një ngordhje masive e disa gjedheve. Kjo është bërë e ditur nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilët janë njoftuar nga bariu i cili ka qenë duke kullotur gjedhet.
AUV thotë se ka ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për rastin e ngordhjes se gjedheve ne Mushtishtë.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bashkë me organet lokale dhe praktikat veterinare kanë mjekuar kafshët qe nuk kanë ngordhur po ashtu kanë hulumtuar zonën për shkaqet e mundshme qe kanë quar deri të ngordhja. Janë marrë informatat nga bariu i cili ka qenë prezent kur ka ndodhur rasti për shenjat e para klinike dhe zonën se ku kanë qen duke kullotur para se të ngordhin dhe ne vendin e ngordhjes, është hulumtuar zona. Drejtoria për Shëndetin e Kafshëve e AUV-së bashkë me inspektorë veterinarë dhe praktikat veterinarë kanë marr mostrat nga kafshët e ngordhura dhe nga ato qe janë shëruar, po ashtu do merren mostra edhe nga barishtat ku kanë kullotur. Këto mostra do të dërgohen ne laborator për analiza dhe varësisht nga rezultati i tyre do të dihen shkaqet e ngordhjes”, thuhet në një njoftim të AUV-it.
Sipas njoftimit, sot është bërë asgjësimi i kafshëve te ngordhura ne mënyrë profesionale nën mbikëqyrjen e inspektorit sanitar te AUV-së ku është bërë groposja ne përmasa e kërkuara dhe jashtë zonës se banuar e cila i ka plotësuar të gjitha kushtet sanitare për mos ndotje.
“Nga ana e AUV-së është marrë vendim për të izoluar zonën e prekur dhe njoftuar fermerët për masat qe duhen ndërmarr për ti ikur çfarëdo rreziku te helmimit te mundshëm. Është ndaluar lëvizja e kafshëve brenda zonës ku kanë ndodhur ngordhjet, është ndaluar konsumimi i produkteve të kafshëve në ato ferma prej të cilave kafshët kanë qen në tufë bashkë me kafshët e ngordhura deri në rezultatin e analizave dhe varësisht nga rezultati do të merren masat e nevojshme”.
AUV thekson se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për shqetësim të qytetareve./Indeksonline/