Kuçi: SHBA dhe BE garantojnë dialogun
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se ideja e tij për një traktat paqeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të duket e pakapshme për momentin, por shton se ata që kanë bërë luftën kanë një detyrim për paqen në vend dhe harmoni me fqinjët.
Kuçi, njëkohësisht edhe ministër i Drejtësisë ndodhet në Iowa, në kuadër të një programi partneriteti mes këtij shteti dhe Kosovës. Zëvendëskryeministri për “Zërin e Amerikës”, e shpjegon propozimin për traktat më shumë si objektiv në fund të një procesi të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sesa si një qëllim i afërt. Ai thekson se pavarësisht se mund të duhet një muaj, një viti, apo disa vjet për ta arritur këtë, kjo do të jetë një zgjidhje e përhershme.
Për Kuçin një element thelbësor për sukses do të ishte “një presion pozitiv nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Unioni Evropian”. Ideja e tij është që për çdo lloj dialogu mes dy vendeve, Kosova të parashtrojë një propozim për traktat paqeje, por se në fillim duhet një garanci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Bashkimi Evropian.
Lidhur me rifillimin e mundshëm të bisedimeve, Kuçi thotë se Kosova ka treguar gatishmëri për të lëvizur nga pozicioni aktual në një dialogu që do të rregullonte raportet ndërshtetërore. Por ai thotë se Prishtina kërkon paraprakisht zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, veçanërisht menaxhimi i integruar të kufijve që do të tregonte vullnetin dhe gatishmërinë për fqinjësi të mirë.
Zëvendës kryeministri Kuçi nuk u përgjigj drejtpërdrejt për kërkesën e serbëve të Kosovës që të përfaqësohen në bisedime si palë, por tha se çelësi i zgjidhjes së problemeve të tyre është në Beograd. Ai së bashku me disa ministra të tjerë ndodhet në Iowa, garda kombëtare e të cilit ka lidhur një partneritet me Kosovën që për çështje ushtarake dhe joushtarake mes shtetit amerikan dhe Kosovës.
Komandanti i Gardës, major gjeneral Timothy Orr thotë se bashkëpunimi parashikon trajnimin e oficerëve, përgatitje për katastrofa natyrore, dhe aftësitë e udhëheqjes. Gjenerali Orr thotë se të dyja palët përfitojnë nga përvoja e shkëmbyer.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku thotë se kjo forcë ka përfituar në fushën e trajnimit, të doktrinave, manualeve nga ky partneritet i dobishëm. Duke folur për të ardhmen e forcës që drejton, Çeku thotë se mbyllja e fazës mbikëqyrëse nuk do ta ndryshojë mandatin e saj.
“Por gjithashtu tash për tash jemi duke zhvilluar rishikimin strategjik të tërë sektorit të sigurisë dhe në veçanti jemi duke rishikuar FSK-në dhe Ministrinë e FSK-së”, tha ai. Ky proces, thotë Çeku po zhvillohet edhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Departamentit të Mbrojtjes, por edhe me ndihmën e Gardës Kombëtare të Iowas. /standardi.info