Kalo te lënda

Këshillat e Kaqushës për dialogun me Serbinë

Kaqusha Jashari, e cila për dhjetë vjet ka drejtuar Partinë Social Demokrate (PSD), aktualisht anëtare e Kryesisë së kësaj partie, ka deklaruar se Kosova nuk mund t’i ikë dialogut politik me Serbinë për faktin se është kërkesë e Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për “Epokën e re”, që do të botohet në numrin e së martës, Jashari ka thënë se frikën për të hyrë në këtë dialog me Serbinë e kanë ata të cilët janë të papërgatitur.

“Dialogu do të mbahet, sepse është kërkesë e BE-së, por edhe për shkak të tejkalimit të mosmarrëveshjeve në mes të dy vendeve fqinje. Në BE nuk mund të pranohen shtetet me probleme fqinjësore. Veriu është një nga problemet serioze. Dialogut nuk mund t’i ikim, e frikën e kanë ata që nuk janë të përgatitur. Serbia është e vetëdijshme se Kosovën e ka humbur, e vetëdijshme është edhe për veriun, por përgjegjësinë para popullit të vet nuk mund ta pranojë dhe ta kërkojë fajtorin jashtë politikës së vet”, ka thënë Jashari.

Duke komentuar deklarimet e opozitës se nuk do të jetë pjesë e këtij dialogu, Jashari ka thënë se ky dialog nuk është iniciativë e pozitës, por një nga kushtet e BE-së, ku Kosova synon të anëtarësohet.

“Atëherë, unë do ta bëja pyetjen se çka do të thotë qëndrimi të mos marrim pjesë, a është në favor të vendit tonë, dhe cila është arsyeja? Për çështje kombëtare pjesëmarrja është e domosdoshme dhe është përgjegjësi e cila duhet të pranohet prej të gjithëve”, ka thënë Jashari, duke shtuar se për këtë çështje duhet të formohet një ekip i gjerë.

Jashari ka thënë se konsensusi për dialog duhet të arrihet në mes të të gjitha partive të pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, i cili duhet edhe ta aprovojë platformën për dialog. /Telegrafi/

Lini një koment