Kalo te lënda

Sesioni vjeshtor në prag, agjenda askund

Iniciuesi i interpelancës së lënë përgjysmë në korrik, deputeti Emin Gërbeshi, paralajmëron se do të kërkojë që në seancën e parë të vazhdohet me mocionin për vendimin e ministres së Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila për taksën për çimenton e importuar, ani pse ai tanimë është shfuqizuar. Përderisa partitë opozitare janë të ndarë rreth kësaj çështje, pozita thotë se kjo çështje është e tejkaluar dhe nuk ka pse të diskutohet.

Deputeti, Emin Gërbeshi, tani i përjashtuar nga Grupi Parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re, ka thënë nëpërmjet telefonit për “Kosovapress” se do të kërkojë që sesioni vjeshtor të fillojë me punimet e interpelancës së lënë në gjysmë në sesionin pranveror.

“Unë mendoj që sesion vjeshtor duhet të filloj aty ku është ndërprerë sesioni pranveror i parlamentit të Kosovës dhe pikërisht të fillojë pikën për interpelancë që e kemi pasur. Të paktën vendimi që është anuluar të bisedohet për pasojat që i ka sjell dhe dëmet që u ka shkaktuar konsumatorëve të Kosovës”, ka thënë Gërbeshi.

Për më tepër, ai ka thënë se duhet të bisedohet për këto vendime që prodhojnë pasojat negative, ndërsa përgjegjësia duhet t’i takoj dikujt. Në këtë aspekt ai do të kërkoj dorëheqjen e ministres Mimoza Kusari-Lila për vendim që ka marr.  “Në të gjitha vendet demokratike, aty ku funksionon demokracia dhe ku funksionon ligji, një vendim i qeverisë i cili prodhon pasojat negative sjell edhe deri te dorëheqja e ministrave. Por, në Kosovë kjo ndodh rrallë ose nuk ndodh fare. Megjithatë, unë këmbënguli në atë se vendimi që është marrë ka qenë plotësisht antishqiptar dhe mendoj që ministrja e Tregtisë dhe Industrisë duhet të jap dorëheqje. Do të këmbënguli në këtë kërkesë dhe vazhdimisht do të potencoj se pas një vendimi të tillë skandaloz, një ministre e tillë nuk do të duhej të qëndronte në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Gërbeshi.

Deputeti ka shtuar se nëse shprehet në shifra, atëherë konsumatori i Kosovës për dy muaj është dëmtuar në shumën prej 6 milion eurosh, duke mos marr parasysh edhe ngritjen e çmimit të çimentos që ka ndodh në tregun e Kosovës, koston e ndërtimtarisë dhe çmimet e banesave.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se shfuqizimi i atij vendimi e humb arsyeshmërinë për diskutim edhe më tutje. Sipas tij, njerëzit kanë përfituar sa vendimi ka qenë në fuqi.

“Heqja e vendimit nga Ministria realisht e humb arsyeshmërinë të kërkohet votimi për diçka që veç nuk ekziston. Ky ka qenë edhe qëllimi dhe synimi i Ministrisë, gjegjësisht i ministres dhe i vetë Qeverisë së Kosovës. Domethënë, i kanë realizuar ato interesa që i kanë pas dhe kur e kanë parë se gjithë këtë presion e kanë, mënyra më e mirë ka qenë me u ikë seancave. Ju e dini që dy seancat e fundit i kanë bojkotuar pozita që është anakronike dhe kjo ndodh vetëm në Kosovën tonë të dashur  nga një parti çfarë e kemi, PDK-në”, ka thënë Beqiri.

Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se është për t’u diskutuar kjo çështje dhe pasojat që i ka shkaktuar vendit vendimi.

“Gjithsesi jemi për t’u diskutuar kjo çështje. Ne konsiderojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kuptohet arsyeja pse është marr ky vendim dhe interesat e kujt i ka plotësuar ky vendim. Ne e kemi parë edhe në seancën e fundit që një arsyetim logjik edhe të arsyeshëm nuk ka qenë e mundur të bëhet as nga ministrja dhe as nga kabineti i qeverisë, sepse ky vendim është marr për interesa të ngushta të personave të caktuar në Qeveri”, ka thënë Ymeri.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se në atë seancë është debatuar, por në mungesë të kuorumit nuk ka qenë e mundur të merret një vendim dhe më pas Qeveria e ka shfuqizuar atë vendim. Sipas tij, nuk është e nevojshme kjo të diskutohet më.

“Ne besojmë se kanë pushuar së ekzistuari arsyet për të nxjerrë një vendim të ri, sepse Qeveria ka kryer punë ashtu siç kanë kërkuar deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar Grabovci.

I pyetur se përse deputetët e PDK-së kanë bojkotuar seancën, ai ka thënë se deputetët nuk mund t’i mbajë me zor askush në seancë.

“Deputetët kanë të drejt të dalin nga seanca”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës pati përfunduar sesionin pranveror me mungesë kuorumi, pasi që mungonin shumica e deputetëve të koalicionit qeverisës në interpelancën në të cilën u kërkua dorëheqja e ministres Mimoza Kusari-Lila, për vendimin për taksën e çimentos së importuar.

Ndërkohë, miratimi i ligjeve që lidhen me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, privatizimi i distribucionit të KEK-ut dhe PTK-së dhe mundësia e takimeve të nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit, janë disa prej çështjeve që pritet të jenë pjesë e punës së sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/

Lini një koment