Serbi: Mbështetja për anëtarësim në BE – nën 50%
Numri i shtetasve të Serbisë, që e mbështesin synimin e këtij vendi që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ka rënë nën 50%, thotë një hulumtim i opinionit i publikuar sot.
Nëse referendumi për pranim në BE do të mbahej tash, 49% e votuesve do të thonin “po”, 25% do të ishin kundër, ndërsa 19% do të abstenonin. Sipas këtij hulumtimi, 8% të të anketuarve ende nuk e dinë se si të votojnë.
Ky hulumtim është realizuar nga Byroja për BE e qeverisë së Serbisë dhe janë anketuar 1034 vetë, në fund të muajit qershor, ka njoftuar Zyra për shtyp e qeverisë së Serbisë.
Aktualisht, Serbia është kandidate për pranim, por ende nuk është caktuar data për fillimin e negociatave.
Për këtë çështje, Brukseli i ka thënë Beogradit për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën, e cila e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh atë, transmeton REL.
Agjencia DPA nga Beogradi më tutje raporton se një numër në rritje i serbëve janë të lodhur nga kushtet e Brukselit për progres të Serbisë drejt anëtarësimit dhe kanë anuar nga pozicioni i promovuar nga nacionalistët e krahut të djathtë ekstrem, që këmbëngulin se Serbia duhet të mbetet neutrale në raportet ndërmjet BE-së dhe Rusisë./Indeksonline/