Kalo te lënda

Kurti: Thaçi po e jep Kosovën në mënyrë të trefishtë

Kosova, në vend se të hyjë në negociata me Serbinë për veriun, do të duhej të ndërmerrte hapa të njëpasnjëshëm, në kuadër të një strategjie gjithëpërfshirëse, për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.  Kështu ka deklaruar në një intervistë për Kosova Info lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sa i përket dialogut të mundshëm me Serbinë për çështjen e veriut. Ai ka akuzuar qeverinë aktuale dhe kryeministrin Thaçi për të gjitha të këqijat që po ia shkaktojnë vendit.

Duke folur për atë se a ka krizë politike në vend, Kurti është shprehur se Hashim Thaçi dhe qeveria e tij janë emri dhe shkaktari i krizës në Kosovë, “sepse  aq shumë dëme i ka shkaktuar vendit ky njeri sa tashmë e ka të pamundur të mos bëjë dëme prapë”.

Ai vlerëson se Kosova nuk do të duhej të hyjë në dialog me Serbinë për çështjen e veriut.

“Në momentin që pranojmë se veriu i vendit është një problem i cili duhet negociuar me Serbinë, ky është hapi i parë i heqjes dorë nga sovraniteti i plotë. Kosova në vend se të hyjë në negociata me Serbinë për veriun, do të duhej të ndërmerrte hapa të njëpasnjëshëm, në kuadër të një strategjie gjithëpërfshirëse, për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial”.

Kurti thotë se Lëvizja Vetëvendosje  do ta kundërshtojë dialogun dhe do të bëjë të pamundurën për ta ndaluar krejtësisht.

Ai thotë se partia e tij, në funksion të ndalimit të shpronësimit masiv që po i bëhet Kosovës, është e gatshme të bashkëpunojë  me të gjithë njerëzit që kanë vullnet të mirë, qoftë nga opozita, shoqëria civile, por edhe me qytetarët drejtpërdrejt.

Sipas Kurtit, kriza politike në Kosovë ka qenë dhe mbetet konstante. “Hashim Thaçi dhe Qeveria e tij janë emri dhe shkaktari i kësaj krize. Aq shumë dëme i ka shkaktuar vendit ky njeri, sa tashmë e ka të pamundur të mos bëj dëme prapë. Problemi është bërë gjendje problematike. Ky njeri i korruptuar e i shantazhuar ka hyrë në rrugë të gabuar ku e ka futur mandej edhe Kosovën”.

Lideri i Vetëvendosjes thotë se partia e tij do të insistojë vazhdimisht në votëbesimin e Qeverisë.

Ndërsa duke komentuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e presidentes Jahjaga,  Kurti vlerëson se marrëveshja Thaçi – Pacolli – Mustafa ka qenë një marrëveshje jashtë institucionale dhe mbikushtetuese, një marrëveshje e dëmshme për vendin, qoftë shikuar nga mënyra se si është arritur, por edhe për nga pasojat që ka prodhuar.

“Ajo marrëveshje është arritur nëpër zyrat e huaja në mënyrë tërësisht jo transparente, ka sjellë një presidente që as për së afërmi nuk mund t’i përmbushë detyrat që i ngarkohen me Kushtetutë, por mbi të gjitha, kjo marrëveshje ia ka zgjatur jetën koalicionit aktual qeverisës. E njëjta gjë vlen edhe sot. Nëse në momentin që ishte lidhur marrëveshja qëllimi ishte vazhdimi i kësaj qeverisjeje dhe kësaj Qeverie, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese sot, është brenda këtij funksioni, pra vazhdim i pushtetit të Hashim Thaçit i cili po e jep Kosovën në mënyrë të trefishtë: si territor që e fut në pazar me Serbinë, si pasuri publike që e fal, dhe si buxhet të shtetit që e keqpërdor”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/

Lini një koment