Kalo te lënda

I reklamojnë ilegalisht liderët

Partia që e udhëheq kryeqytetin e Kosovës, LDK-ja, si dhe dy partitë e tjera më të mëdha të vendit, PDK dhe AAK, nuk janë duke i paguar Komunës së Prishtinës tatim për vendosjen e billbordëve në ndërtesat e tyre.

Këto tri parti përpos që nuk kanë paguar tatim, vazhdojnë të mos kenë edhe leje nga Komuna e Prishtinës për vendosjen e këtyre billbordëve.

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi ka thënë për Indeksonline se partitë nuk kanë kurrfarë leje për vendosjen e atyre billbordëve, përderisa për pagesat e tatimeve na ka sugjeruar të bisedojmë me drejtorin për Inspeksion Muhamet Gashin.

E ky i fundit ka rënë në kundërshtim me fjalët e kolegut të tij, duke thënë se Partitë kanë leje të përkohshme për vendosjen e billbordëve. Ndërsa për pagesat e tatimeve thotë se Komuna e Prishtinës është duke i shpërndarë faturat në këto ditë.

“Deri tash kanë paguar nga pak. Ne ju kemi quar faturat këto ditë, dhe presim të shohim se sa do të paguajnë. Ndërsa lejet i kanë pasur të përkohshme”, ka thënë Gashi.

E përkundër kësaj, partitë më të mëdha në vend, PDK, LDK dhe AAK, nuk ndalen së promovuari liderët e tyre. Ndërkohë, partitë të cilat i bëjnë këto shkelje, nuk kanë qenë të gatshme të flasin për këtë punë.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se këto parti përmes këtyre postierëve mundohen ta promovojnë kultin e personalitetit të liderëve të tyre.

“Partitë të cilat i vendosin postierët me foto të liderëve të tyre, mundohen ta promovojnë kultin e personalitetit të tyre, sepse në esencë nuk kanë tjetër çka ti ofrojnë qytetarit. Por edhe ai kult në vend se të forcohet, më shumë po zbehet, sepse çdo ditë e më shumë po dalin në shesh, korrupsioni dhe veprimet antikombëtare të këtyre “kulteve”. Lëvizja VETEVENDOSJE! e ka prioritet promovimin e konceptit të saj politik, i cili buron nga vullneti i popullit dhe është në shërbim të popullit, sepse për ne personaliteti është veç se bartës i atij koncepti” ka thënë sekretari për media i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi.

Sipas Vetëvendosjes, i rëndësishëm është programi dhe koncepti i partisë e jo njerëzit e saj.

Ndërkohë, në ndërtesat e partive më të mëdha në vend, vazhdojnë të zënë vend fotot gjigante të liderëve të tyre. Fotot e kryeministri Thaçi, janë në të gjitha anët e selisë së PDK-së. Po ashtu edhe fotoja e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, është në ballë të selisë së kësaj parti.

E LDK-së, i ishin djegur postierët e ish-presidentëve Ibrahim Rugova dhe Fatmir Sejdiu, e tash është vetëm logoja e partisë./Dardan Hoti/Indeksonline/

Selia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Selia e Partisë Demokratike të Kosovës

Lini një koment