Gazetari i “TCH” pengohet në kufirin grek
Policia Greke ndaloi gazetarin e “Top-Channel”, Marin Mema, në pikën kufitare të Qafë-Botës, veprim i justifikuar nëpërmjet paraqitjes se një vendimi që e cilëson atë si të rrezikshëm për sigurinë kombëtare të vendit fqinj.
Ngjarja u verifikua në orët e mesditës të së dielës. Gazetarit Mema iu njoftua gjithashtu se atij i është hequr përjetësisht e drejta për të kaluar kufirin shqiptaro-grek.
Masa merret pas filmimeve për çamët dhe shqiptarët në Greqi, të realizuar pak kohë më parë nga Mema në kuadrin e ciklit të reportazheve te “Shqipërisë Tjetër”.
Të njëjtën masë drastike, autoritetet greke ndërmorën disa muaj më parë edhe ndaj gjyqtarëve që dhanë dënimin për kreun e organizatës “Omonia” në Korçë.
Reagon Aleanca Kuq e Zi
Aleanca Kuq e Zi dënon ashpër dhe me indinjate te thelle sjelljen e autoriteteve doganore te shtetit grek te cilat kane kthyer ne piken doganore te Qaf Botës gazetarin e televizionit “Top Channel” Z.Marin Mema. Autoritetet greke nuk kane lejuar shtetasin shqiptar Marin Mema të kalojë kufirin si rrjedhojë e objektivitetit dhe profesionalizmit ne ushtrimin e profesionit te gazetarit, ne përmbushje të misionit sublim të informimit të publikut.
Aleanca KuqeZi shpreh indinjate te thelle për këtë sjellje harbute te autoriteteve greke te cilat e kane shpallur “non gratta” gazetarin Marin Mema, por mbi të gjitha dënon sjelljen e autoriteteve zyrtare shqiptare.
“Pushteti i Sali Berishës i gjunjëzuar ndaj haraçit helen në raste te tilla kur e drejta e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë pengohet mbi akuza imagjinare është tejet e rëndë dhe e pafalshme. Kjo sjellje neglizhente e shtetit shqiptare tregon qartë për ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë mes Berishës dhe Athinës e cila ne synim ka kërcënimin dhe mbytjen e zërit të qytetareve dhe politikaneve që denoncojnë dhe kundërshtojnë shovinizmin grek”, thuhet në reagimin e Aleancës.
Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje qeverise shqiptare që të reagoje mbi parimin e reciprocitetit me sjelljen harbute te doganierëve grek të cilët me tendence kërkojnë të provokojnë popullin shqiptare./Indeksonline/