Kalo te lënda

Bëhuni gatë edhe për një javë tropikale

Javën që fillon Kosovën dhe rajonin do ta godasë një valë e re e trë ngrohtit tropikal, me temperatura që do të sillen nga 33 e deri në 37 gradë Celsius. Sipas meteorologëve, periudha nga 21 deri më 27 gusht do të jetë shumë e nxehtë dhe me temperatura mbi vlerat normale, përkatësisht nga 33 deri në 37 gradë Celsius.

Vapa, që ishte e pranishme edhe sot, nesër dhe gjatë ditëve të ardhshme do të forcohet. Në Prishtinë, të hënën parashihet që temperatura maksimale ditore të arrijë në 33 gradë. Të martën në 35, të mërkurën në 36 dhe të enjten e të premten në 37 gradë Celsius. Mirëpo, realisht, të paktën në Prishtinë, si pasojë e nxehtësisë që e liron asfalti, pastaj numrit të madh të automjeteve, që po ashtu lirojnë shumë nxehtësi, si dhe numrit të madh të pajisjeve klimatike që lirojnë sasi të mëdha nxehtësie, temperaturat do të jenë edhe për 3-4 gradë më të larta.

Sikundër gjithnjë në raste të tilla, të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe fëmijët nuk duhet të dalin në kohën e vapës më të madhe (nga 10-18), të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe eventualisht të kërkojnë hije në bjeshkët e afërta.

Lini një koment