Assange: SHBA-ja të ndalë ndjekjen ndaj WikiLeaks
Londër, 19 gusht – Themeluesi i ueb faqes WikiLeaks, Julian Assange sot është paraqitur në tarracën e Ambasadës së Ekuadorit në Londër, dhe ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara ta ndalin atë që ai e cilësoi si “ndjekje” të organizatës së tij. Kjo ishte paraqitja e parë publike e tij, prej se ka gjetur strehim në ambasadë të Ekuadorit për t’iu shmangur ekstradimit në Suedi, ku është i kërkuar për tu marrë në pyetje lidhur me akuzat për keqtrajtim seksual.
Assange thotë se frikësohet që nëse dërgohet në Suedi, ai mund të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, ku mund të ballafaqohet me ndjekje penale për shkak se WikiLeaks i ka publikuar mijëra dokumente diplomatike sekrete amerikane, raporton REL.
Më herët këtë javë, Ekuadori i dha Assanget azil, ndërsa Britania thotë se nuk do të lejojë kalim të sigurt për të dalë jashtë vendit dhe se do ta përmbushë obligimin juridik për ekstradimin e tij në Suedi.