Thaçi uron qytetarët për Fitër Bajram
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për festën e Fitër Bajramit, duke theksuar se kjo është koha kur familja dhe miqtë bëhen bashkë
“Në këtë ditë të rëndësishme në kalendarin islam, qytetarët e vendit tonë, të besimit islam bashkohen për të shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, muaji më i rëndësishëm i traditave islame”, thuhet në urimin e kryeministrit.
Me tutje në urim thuhet se kjo është kohë kur familjet dhe miqtë bëhen bashkë për Festën e madhe të Fitër Bajramit.
“Paqja dhe solidariteti janë shpirti thelbësor i kësaj feste, dhe unë jam krenar me mënyrën se si populli i Kosovës vazhdimit i ka demonstruar këto vlera të larta. Uniteti qytetar, harmonia, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike është pasuri e Republikës së Kosovës”, thuhet me tutje në urimin e Hashim Thaçit.
Kreu i ekzekutivit po ashtu ka shtuar se kjo festë është një rast për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi, të ndajmë mes vete gëzimet dhe urimet më të mira, dhe të punojmë për një të ardhme edhe më të mirë për vendin tonë.
“Me rastin e shënimit të Festës së Fitër Bajramit, këtë vit Republika e Kosovës është konsoliduar edhe më shumë si shtet demokratik, me institucione stabile dhe funksionale, duke i dhënë prioritet kryesor përmbushjes së standardeve dhe kritereve për integrim në Bashkim Evropian dhe në NATO, si dhe duke implementuar vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve”, ka vazhduar urimi i kryeministrit.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, uroj edhe njëherë të gjithë besimtarët islamë me rastin e Festës së madhe të Fitër Bajramit, duke iu dëshiruar më shumë paqe, harmoni, solidaritet dhe unitet në familjet e tyre”, ka përfunduar urimi i kryeministri Hashim Thaçi.