Kalo te lënda

Rrugët e përgjakura

57 persona kanë vdekur dhe mbi 4 mijë të tjerë kanë marrë lëndime trupore gjatë këtij viti si pasojë e aksidenteve në trafik. Gjendja paraqitet alarmante ndërsa Policia e Kosovës thotë se në krahasim me vitin e kaluar, vërehet një rënie e aksidenteve në komunikacionin rrugor.

Kapiten Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka deklaruar për Indeksonline, se për shtatë muaj të këtij viti, jetën e kanë humbur 57 qytetarë të Kosovës, ndërsa mbi 4 mijë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta e të rënda trupore.

Në raportin e fundit të policisë që u është dërguar medieve sot, thuhet se vetëm gjatë njëzetekatër orëve të fundit në territorin e Kosovës kanë ndodhur rreth 100 aksidente trafiku, prej të cilave një ka përfunduar me pasoja fatale, 23 me persona të lënduar ndërsa të tjerat me dëme materiale.

Sipas policisë, aksidenti fatal ka ndodhur të premten pasdite në Podujevë, ku një person ka gjetur vdekjen pasi që është godit nga një veturë e tipit “Opel Corsa” me targa vendore. Policia ka arrestuar ngasësin e automjetit ndërsa me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në paraburgim./Indeksonline/

Lini një koment