Narkomani që ju largua drogës gjatë një trajnimi në Spitalin e Gjakovës
Një i ri shëndetlig e fytyrëzbehtë, A. Ll. (22), po ecte ngadalë të enjten në Repartin psikiatrik të Spitalit të Gjakovës. Si përdorues i mjeteve narkotike, ai kishte ardhur për t’u trajtuar në këtë institucion, në kuadër të një programi që ka nisur në fund të majit.
Ai është shprehur se nuk po gjen rehatinë që e kishte para se të përdorte lëndë narkotike. I kishte hyrë botës së personave të droguar kur kishte qenë si nxënës në shkollë të mesme. Thotë se në fillim kishte përdorur droga të lehta e më pas e kishte shtuar dozën me droga më të rënda. Mundësinë për t’u hyrë këtyre punëve e kishte nga gjendja e mirë materiale në familje. Ishte trajtuar në klinika të ndryshme jashtë vendit, por pa sukses.
Atij i kishte munguar vendosmëria për t’i ikur asaj bote. 6 vjet më vonë thotë se është bërë pishman. “Tashti jam i vendosur që t’i jap fund”, i ka thënë ai psikiatrit në Spitalin e Gjakovës, Ilir Grezda, ku po trajtohej. Edhe rreth 20 të rinj të tjerë trajtohen për çdo ditë në Repartin psikiatrik të Gjakovës, si pjesë e një programi me persona që përdorin lëndë narkotike.
Sipas Grezdës, që është edhe shef i këtij reparti, projekti ka për qëllim largimin definitiv të këtyre personave nga varshmëria e narkotikëve. Programi “Metadon”, është projekt i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Fondit Global për Zhvillim. Grezda ka thënë se Gjakova është bërë pjesë e këtij programi pasi ka një numër të konsiderueshëm të personave që përdorin narkotikë, shkruan koha.
Metadon është një drogë gjysmësintetike që përdoret për të larguar sindromën e ambsitenencës, largim për drogave të tjera. Në Spitalin e Gjakovës, projekti ka nisur me 7 pacientë, të varur nga substancat narkotike, kurse tashti numri është rritur.
“Tashti për tashti me këtë bar po trajtohen 19 persona”, ka thënë Grezda. Përdorimi i mjeteve narkotike nga ana e të rinjve në Komunën e Gjakovës, është bërë një shqetësim i viteve të fundit, që po përcillet edhe me pasoja të rënda. Një i ri është gjetur i vdekur këtë javë. Ai është gjendur pa jetë në një banesë në Gjakovë, ndërsa mendohet se është pasojë e mbidozës. Nga të njëjtat pasoja edhe një vit më parë kishin ndërruar jetë dy persona. Për numrin e përdoruesve, ndërkaq, nuk ka ndonjë shifër të saktë as Reparti psikiatrik i Spitalit të Gjakovës, mirëpo, sipas shefit të Repartit, Grezda, Komuna e Gjakovës është ndër të parat që i përket abuzimit me substanca narkotike. Sidoqoftë, Grezda ka theksuar se programi që po aplikohet që prej majit në këtë institucion ka pasur sukses.
“Krejt pacientët që janë pjesë e këtij programi kanë pasur sukses”, është shprehur ai, duke u bërë thirrje edhe përdoruesve të tjerë që të bëhen pjesë e programit. Ai shpreson se programi do të vazhdojë edhe me tutje. Ekspertë të tjerë të kësaj fushe, por që janë jashtë institucioneve publike thonë se kjo mënyrë e trajtimit duhet të përcillet edhe me metoda të tjera të shërimit. Agron Zajmi, neuropsikiatër, që punon privatisht në një klinikë të veten dhe i cili trajton edhe përdorues të drogave, thotë se trajtimi me metadon është një mënyrë e shpejtë për t’i plotësuar kërkesat aktuale.
“Për të pasur sukses, sipas tij, kjo metodë me të sëmurët e varshmërisë, duhet të përcillet edhe me trajtim psiko-terapeutik. Zajmi thotë se mënyra më e mirë e trajtimit të këtyre personave do të ishte nëse shteti mendon më shumë për ta.
“Shteti duhet të mendojë ndryshe për rastet e narkomanisë. Shteti nuk e ka marrë seriozisht këtë. Duhet një investim në hapjen e një institucioni special për sëmundjet e varshmërisë”, ka thënë Zajmi./Indeksonline/