Kalo te lënda

Kosova me armatë të të papunëve

Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet më tepër në zhvillimin e sektorit ekonomik dhe privat, përndryshe do të krijohet një armatë e tërë e të papunëve, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë. Sipas tyre, papunësia në Kosovë ështërreth 63 për qind e jo 43 për qind, aq sa e japin qeveritaret

Artan Kryeziu

Prishtinë – Në vitet e fundit në Kosovë nuk ka pasur ulje të shkallës së papunësisë, e cila llogaritet të jetë mesatarisht 43 për qind.Të dhënat e fundit të organizatave ekonomike në Kosovë, tregojnë se papunësia mbetet njëra nga problemet kryesore në vend.
Sipas të dhënave të Institutit të Financave të Kosovës, thuhet se mbi 43 për qind e kosovarëve janë të papunë. Shifrat e prezantuara mbi papunësinë pranohen si të pasakta edhe nga vetë “hartuesit” e tyre.  I saktë konsiderohet vetëm numri i punonjësve të regjistruar zyrtarisht për të cilët paguhen kontribute tatimore. Sfidat afatgjata që do të sfidojnë në vazhdimësi tregun e punës sipas zyrtarit për informim në Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Musa Demiri, janë zhvillimi ekonomik i ultë dhe i ngadaltë, papunësia e lartë e të rinjve, mungesa e kapaciteteve njerëzore, buxhet i limituar në mbështetje të masave aktive të tregut të punës, aftësia e ultë e tregut të punës për rritje të kërkesës për forcë pune.
“Me qëllim të përgjigjes së ndryshimeve në tregun e punës dhe duke vënë në fokus harmonizimin e ofertës dhe kërkesës Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke i zhvilluar masat aktive të tregut të punës, për të zvogëluar numrin e papunësisë përmes disa programeve gjatë vitit 2011”, ka thënë Demiri.

Edhe pse papunësia është ne nivel të lartë, sipas Demirit, numri i të papunëve është mbi 325 mijë persona. “Me gjithsejtë mbi 325 mijë persona të regjistruar si të papunë në shërbimet publike të punësimit në Kosovë deri në fund të vitit 2011 –duke përfaqësuar një rënie për -3.0 për qind krahasuar më vitin 2010, prej tyre 93,8 për qind të papunë afatgjatë, 48,6 për qind femra, 60 për qind e tyre të pakualifikuar, grup-mosha prej 15-24 vjeç përballet me shkallën më të lartë të hyrjeve në tregun e punës, 72 për qind e të gjithë të regjistruarve si të papunë i përkasin një niveli të arsimimit nën shkollë të mesme.

Në mesatare, një zyrtar punësimi në Kosovë në vitin 2011 është dashur të kujdeset për 1787 të papunë. Në vitin 2011 shërbimet publike te punësimit në Kosovë kane evidentuar 9776 vende të lira të punës.

Në këtë rast sektori privat ofroi rreth 67 për qind të vendeve të lira. Sektori i shërbimeve shënoi rritje deri në 67 për qind të vendeve të lira të punës. Gjatë vitit 2011 zyrat e shërbimit publik të punësimit realizuar 7484 punësime të drejtpërdrejta të personave të regjistruar si të papunë në vende të reja pune. Gjithsej 3449 hyrje në trajnime kanë qenë gjatë vitit 2011, të cilët si të papunë kanë marrë pjesë në Aftësim Profesional u shpreh Demiri.

Ndërsa sipas ekspertit të ekonomisë, Musa Limani, papunësia në Kosovë është më e madhe se 43 për qind, aq sa e japin qeveritaret, numri i të papunëve sipas Limanit arrin shifrën mbi 63 për qind. Ai ofron shifrat e një hulumtimi vetanak që ka bërë, ndërkohë thotë se duhet zhvilluar edhe më shumë sektori privat, sidomos industria.“Papunësia te ne arrin një shifër të lartë.

Sipas statistikës që kam nxjerrë, në Kosovë papunësia arrin një shifër rekorde me 66 për qind të papunë, ndërsa të papunë prej moshës  20 -35 vjeçare papunësia arrin shifrën 70 për qind. Apeloj te Qeveria dhe institucionet tjera që të punojnë shumë në sektorin e ekonomisë, ndryshe do të krijohet një armatë e tërë e të papunëve, po ashtu zhvillimin e sektorit privat duhet të përkrahet shumë nga ku do të mund të punësoheshin shumë të rinj.

Edhe sektori i industrisë duhet të jetë më prioritet për Qeverinë e vendit, se sektori bujqësor”, u shpreh Limani. Ndryshe, në vitet e fundit në Kosovë, sipas njohëseve të çështjeve ekonomike, nuk ka pasur ulje të shkallës së papunësisë.

Pa zhvillime ekonomike, pa sigurim të mjeteve, pa shfrytëzim të kësaj pasurie që e kemi, ne kemi një ndër pasuritë natyrore më të mëdha botërore, siç është Trepça, nuk do të zvogëlohet papunësia. Përgjysmimi i varfërisë është njëra nga objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit, të cilat Kosova është zotuar t’i arrijë deri në vitin 2015.

Ndërkaq, zyrtarë qeveritarë tashmë kanë deklaruar se janë të përkushtuar t’i zgjidhin problemet ekzistuese sociale dhe ekonomike ne vend.

Lini një koment