Kërkojnë të jenë pjesë e dialogut politik
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kërkojnë të marrin pjesë në dialogun e paralajmëruar politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata vlerësojnë se në këtë mënyrë nuk do të lejojnë të merren vendime të cilat atyre do t’iu shkaktonin probleme edhe më të mëdha.
Nënkryetari Kuvendit të Kosovës, Petar Miletic, ka thënë se nga liderët e Kosovës ende nuk ka ndonjë ofertë konkrete për pjesëmarrjen e tyre në dialog, duke pasur parasysh faktin se bisedimet e ardhshme ende nuk janë definuar.
Ai rekomandon se pjesëmarrja e përfaqësuesve të serbëve do të mund t’i kontribuojë dialogut që do të pasojë
“Mendoj se komuniteti serb duhet të jetë i përfaqësuar në dialog. Se si do të përfaqësohen, mendoj se kjo nuk është shumë e rëndësishme, por ata duhet të jenë të përfaqësuar sepse bëhet fjalë për jetët e serbëve të Kosovës që jetojnë këtu “, tha Miletic për Radio Evropa e Lirë..
Ndërsa, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkovic, vlerëson se është vështirë për serbët e Kosovës që të marrin pjesë në bisedime me platformë identike të cilën e ofrojnë liderët kosovarë, për shkak se në disa çështje interesat bien në kundërshtim, prandaj, ajo vlerëson së paraprakisht duhet të arrihet marrëveshje ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
Ajo megjithatë potencon se serbët janë të nevojshëm në atë proces, në mënyrë që, siç thotë ajo, të mbrohet mundësia e ekzistencës së tyre.
Deputetja Trajkovic vlerëson se duhet të formohet grupi i serbëve që do të mund të bisedonte edhe me liderët shqiptarë të Kosovës por edhe me Beogradin.
Njëri nga liderët e serbëve të Kosovës, Randjel Nojkic, vlerëson se është e domosdoshme që serbët e Kosovës të jenë pjesë e dialogut më Beogradin, në mënyrë që , sipas tij, vendimet që merren arra të mos shkaktojnë probleme më të mëdha. Ai beson se do të arrihet progres në negociatat që do të zhvillohen, duke pasur para sysh faktin se do të ngriten në nivel më të lartë.