Beqaj: PTK-ja “shitet’ sivjet
Ministri i Zhvillimi Ekonomik, Besim Beqaj, e ka prezantuar veten dhe ministrinë që ai drejton si mjaft të suksesshëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Duke folur për privatizimin e PTK-së, Beqaj ka thënë se ky proces do të marrë fund deri në fund të këtij viti.
Beqaj ka bërë të ditur se më së shumti gjashtë kompani mund të parakualifikohen për të privatizuar Telekomin, dhe se, sipas tij, kriteret varen se në çfarë mënyre ka konkurruar ajo kompani.
“Ne shpresoj se brenda këtij viti do të shpallet fituese kompania që do ta privatizojë PTK-në, në pjesën e parë të shtatorit do ta kemi tenderin e hapur, presim pastaj se janë procedurat së paku dymujore, për të pritur aplikacionet, apo tenderimet nga kompanitë, të cilat do të parakualifikohen. Unë besoj se para përfundimit të këtij viti do ta shpallim fituesin dhe do të fillojmë negociatat për përmbyllje të këtij transaksioni, por punët tona varen nga gatishmëria e investitorëve për t’u përgjigjur në afate kohore”, ka thënë ai.
Sipas tij, qeveria nuk është në presion kohor, e as financiar për ta privatizuar Telekomin.
Ai ka thënë se ministria e që ai drejton do të bëjë parakualifikim në bazë të kritereve, nuk do të thotë se do të jenë gjashtë, pasi që gjashtë është maksimumi i kompanive që mund të parakualifikohen.
Sipas tij, komisioni i caktuar nga pesë ministri, i ka caktuar kriteret dhe në bazë të tyre caktohet.
“Ka një sërë kriteresh, një është nëse konkurrohet përmes operatorit strategjik, se duhet të ketë 300 milionë euro qarkullim vjetor në tre vitet e fundit, tjetri kriter nëse konkurron si investitor, si partner investues, si fond, atëherë duhet të ketë 750 milionë euro qarkullim në tre vitet e fundit në bazë vjetore”, ka shpjeguar Beqaj.
Duke folur për procesin e ndërtimit të Termocentralit te ri “Kosova e Re”, Beqaj ka thënë se Komiteti Drejtues i Projektit ka analizuar kërkesat e ofertuesve të parakualifikuar, interesimin e tregut nga aspekti i investimeve në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike.
Sipas tij, ky komitet ka analizuar po ashtu edhe kushtet e ofertuesve të parakualifikuar për dhënie të ofertës dhe i ka propozuar Qeverisë që Termocentrali Kosova B të hiqet nga pakoja aktuale, të zhvillohet si fazë e dytë pas projektit TC Kosova e Re me qëllim të sigurimit të koherencën mes këtyre dy proceseve.
Beqaj ka thënë se në ketë periudhë, është hartuar dhe është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës Strategjia Minerare e vendit për periudhën 2012-2015.
Ai tha se kjo strategji bazohet në katër shtylla themelore që janë: krijimi i kushteve të favorshme për shfrytëzim dhe valorizim ekonomik të resurseve minerare dhe tërheqje të investimeve, rritja e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale në sektorin minerar; rritja e kapaciteteve të institucioneve relevante shkencore dhe edukativo arsimore, çështjet sociale dhe përfitimet e komunitetit dhe përkujdesja për mjedisin.
42.6 milionë euro të hyra
Beqaj ka përmendur edhe shthurjen e Hekurudhave të Kosovës me qëllim të ristrukturimit, rritjes së konkurrueshmërisë dhe hapjes se tregut ndaj investitorëve të rinj.
Gjatë kësaj periudhe, sipas ministrit Beqaj, janë themeluar edhe Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Instituti Gjeologjik i Kosovës, është inauguruar Muzeu Shtetëror i Kristaleve dhe Mineraleve të Kosovës dhe është funksionalizuar Instituti Gjeologjik i Kosovës.
Me Ligjin mbi Buxhetin e vendit për vitin 2012, MZHE ka të hyra prej 42.6 milionë eurosh këtë vit. Në periudhën gjashtëmujore janë shfrytëzuar 49 për qind të mjeteve të ndara buxhetore./standardi.info