Austria: Dialogu të ngrihet në nivel politik
Ambasadori austriak në Beograd, Clemens Koja, ka thënë se në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të hapet një proces më i gjerë politik.
“Pas bisedimeve, të cilat shpresojmë se do të jenë të suksesshme për energjinë elektrike dhe telekomunikacionin, duhet të hapet një proces më i gjerë politik me qëllim që të trajtojë çështjet tjera politike, si të drejtat e serbëve në veri, mbrojtja e trashëgimisë kulturore serbe, të të kthyerve…”, ka thënë Koja për “Danas”, i cili së shpejti do të jetë ambasador në Slloveni.
Koja tha se plani i Ahtisarit përmban zgjidhje adekuate për këto çështje, por se duhet “gjetur një mënyrë për ta bërë atë të pranueshme për të dyja palët”. Ai shton se BE çmon qëllimin e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, për ngritjen e dialogut në nivelin politik.
I pyetur nëse Serbia mund të fillojë negociatat me BE-në nga fundi i këtij viti, Koja tha se “shanset nuk janë zvogëluar” dhe se “BE-ja nuk do të imponojë asnjë kusht të ri”.
“Këshilli Evropian e ka bërë të qartë se cilat janë kushtet që duhet përmbushur, e ato kanë të bëjnë me përmirësimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Tash mbetet tek presidenti serb dhe qeveria serbe që të dëshmojnë përkushtimin përmes veprimeve konkrete”, ka thënë ai. /Telegrafi/