AK: Berisha gënjeu Kosovën, Portin e Shëngjinit ia dha Fazlliqit
Aleanca Kuqezi ka lëshuar sot akuza në drejtim të kryeministrit lidhur me Portin e Shëngjinit. AK akuzoi Berishën se gënjeu popullin e Kosovës kur u premtoi se ky port do të jetë i kosovarëve.
Deklaratat u bënë nga kreu i AK, Kreshnik Spahiu gjatë një tubimi me pushuesit nga Kosova, të cilët ndodheshin në plazhin e Shëngjinit.
“Kryeministri mashtroi 2 milionë shqiptarë të Kosovës. Berisha i premtoi portin e Shëngjinit qeverisë së Kosovës dhe nuk ja dha”, ka thënë Spahiu, raporton BalkanWeb.
Sipas AK, Berisha ia kaloi portin biznesmenit Damir Fazllic duke realizuar kështu ëndrrën serbe për dalje në det.
“Berisha ja premtoi Kosovës por në të vërtetë ia dha Fazlliqit, Portin e Shëngjinit. Kryeministri serb e shqiptar realizoi ëndrrën serbe për daljen në Adriatik duke kryer kështu një mision kundër bashkimit kombëtar”./Indeksonline/