Kalo te lënda

Shqiptarë e serbë, të lodhur nga gjendja në Mitrovicë

Qytetarë nga pjesa veriore e Mitrovicës thonë se janë lodhur me gjendjen aktuale atje. Ata duan që brenga e tyre kryesore të mos jetë siguria dhe liria e lëvizjes, por punësimi dhe mirëqenia për ta dhe familjet e tyre.

Gjenda e brishtë e sigurisë me incidente të kohëpaskohshme, si dhe bllokimi i rrugëve dhe barrikadat, sipas këtyre banorëve, nuk janë pjesë e skenarëve të qytetarëve të Mitrovicës, por e disa njerëzve dhe grupeve që kanë interesa dhe përfitime nga një gjendje e tillë.

Zorica Nikolic, një banor serb i Mitrovicës, thotë se ka hallin te gjendja e tij e rëndë sociale dhe nuk i intereson shumë politika.

“Nuk më intereson politika fare. Më intereson vetëm jeta, ajo pjesë e jetës që më ka mbetur”, thotë ai për “Radio Evropa e Lirë”. “Gjithçka është e mundur, por njerëzit nuk po duan. Mendoj se ka vetëm dy kombe – dhe ata janë njerëzit dhe jo njerëzit”.

Pavarësisht gjendjes që për më gjatë se një dekadë mbizotëron në veri të Mitrovicës dhe komunat veriore, disa jetojnë mirë, por shumica nuk kanë punë e para të mjaftueshme, thotë një banor tjetër serb i kësaj ane me emrin, Pavle Trifunovic.

“Për dikë është shumë mirë e për dikë shumë keq. Unë flas për vete. Nuk kemi para, është jetë e shtrenjtë, tani kam blerë bukë dhe mendohem se a mund të blej edhe qumësht dhe diç tjetër”, thotë ai. “Nuk e urrej askënd. Mendoj se më së miri është që të ketë një marrëveshje, ngase mjaftë kemi pasur dhunë. Duhet të ketë një marrëveshje ose do të vazhdojmë bashkë, ose do të ndahemi. Diçka duhet të vendoset dhe populli të jetojë në paqe”.

Standardi i jetës dhe perspektivat për banorët e Mitrovicës janë mjaft të zymta, thotë një banor shqiptar nga kjo pjesë, me emrin Armend Potoku. Sipas tij, gjendja e tensionuar kryesisht vjen si rrjedhojë e individëve dhe grupeve që nuk janë banorë të Mitrovicës.

“Mund të them se ka një lloj frike, jo nga banorët e pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, por më tepër nga personat që mund të them se janë të prirë për të organizuar incidente dhe kriza të ndryshme”, shprehet Potoku. “Unë mendoj se përparësi për zgjidhjen e problemeve në Mitrovicë, si në pjesën veriore, ashtu edhe atë jugore, është që të ketë projekte të përbashkëta, programe zhvillimore sidomos në punësimin afatgjatë, si dhe investimi në ekonomi”.

Me gjendjen në veri është lodhur edhe Alija Mahmutovic, një banor i komunitetit boshnjak.

“Unë e them hapur, jetoj zi e më zi”, thotë Mahmutovic. “Mendoj se politikanët janë fajtorë, sepse problemet mund të zgjidhen. Duhet të gjinden njerëz të mençur që i zgjidhin problemet, sepse situata si kjo në Mitrovicë nuk ka askund në Evropë”.

Gjendja në pjesë veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, mbetet e brishtë. Për mbajtjen e një sigurie të përgjithshme atje, përkujdesen forcat paqeruajtëse të KFOR-it, përderisa institucionet e Kosovës nuk kanë mund të shtrijnë autoritetin e tyre për shkak të funksionimit të strukturave paralele që mbështeten nga Serbia.

Kohët e fundit, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, i kanë shtuar thirrjet drejtuar të gjitha palëve të përfshira që të bisedojnë dhe gjejnë një zgjidhje të pranueshme dhe paqësore. /Telegrafi/

Lini një koment