Kalo te lënda

Në kërkim të kosovarit, ka kryer 82 plaçkitje

Vjenë, 17 gusht – Policia austriake është vënë në kërkim të një shqiptari nga Kosova, i cili dyshohet të ketë kryer 82 plaçkitje, duke vjedhur 1.4 milionë euro.

Gruaja e kosovarit të kërkuar nga policia, e cila ishte arrestuar në muajin shkurt, kishte deklaruar për policinë se burri i saj nga Kosova është hajn profesionist, raportojnë mediet austriake, raporton Albinfo.

Policia i kishte rënë në gjurmë hajnit profesionist qysh në muajin shkurt, gjatë plaçkitjes së një shtëpie. Ai është vënë re nga një banore në Krispl të Austrisë, duke ikur me stolitë e vjedhura.

Një veturë e bardhë e dyshimtë, që është parë në disa vende pas plaçkitjeve të raportuara, është kontrolluar nga policia. Në të është kapur 21-vjeçarja austriake, e cila është prezantuar si gruaja e hajnit profesionist nga Kosova.

Ajo ka thënë se me shqiptarin nga Kosova është njoftuar më 2010 në Salzburg, ku dhe shumë shpejt ishin martuar. Çifti kishte jetuar vetëm nga hajnia.

Kosovari nga tetori i vitit të kaluar e deri në mars të këtij viti mesatarisht katër herë në javë kishte plaçkitur shtëpitë. Ai më së shumti kishte vjedhur stoli ari, kamera, laptopë dhe para të gatshme.

Shumica e gjërave të vjedhura kishte arritur t’i shiste nëpër Austri, ndërsa të tjerat i ka dërguar në Kosovë.

22-vjeçari nga Kosova plaçkitjet i ka realizuar në bashkëpunim me një tjetër hajn nga Maqedonia dhe të tjerë të panjohur për policinë. Në dy shtëpitë e kontrolluara të çiftit policia ka gjetur gjëra të vlefshme.

Austriakja i ka thënë policisë se e ka shoqëruar burrin e saj gjatë vjedhjeve, ngase ka qenë e kërcënuar. Kosovari është ende në arrati, ndërsa gruaja e tij austriake është në burg që nga muaji shkurt.

Lini një koment