Maqedoni: Homazhet ftohin raportet e partnerëve të koalicionit
Homazhet në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së me praninë e ushtarëve të ARM-së kanë ftohur marrëdhëniet midis partive të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI në Maqedoni.
Burime qeveritare bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve INA se ka ftohje të raporteve dhe një nervozizëm tek partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, e cila siç thuhet është e prekur dhe nuk ka pritur veprimin e ministrit të mbrojtjes, Fatmir Besimi i cili nën shoqërimin e oficerëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM) bëri homazhet pranë varrezave të dëshmorëve të UÇK-së.
“Ka nervozizëm të lartë dhe kryeministri Gruevski dhe partia e tij nuk kanë pritur atë që ndodhi me homazhet dhe praninë e uniformave të ARM-së. BDI shfrytëzoi këtë moment që është pozitiv, ndërsa për VMRO-DPMNE ishte një goditje e rëndë, për shkak të imazhit dhe frymës së saj nacionaliste. Presim detaje të reja pas mbërritjes së Gruevskit dhe komentet e tij”, theksoi për INA, një përfaqësues i lartë i Qeverisë në Shkup.
Por, nga ana tjetër, burime brenda partisë maqedonase në pushtet janë të shqetësuara në thellimin e ndasive me BDI, për shkak se rrezikohet shpërbërja e koalicionit qeveritar dhe humbja e pushtetit.
Mediat proqeveritare përfshirë edhe gazetën “Dnevnik” shkruajnë se përkundër retorikës së ashpër midis VMRO-DPMNE dhe BDI, ato mbeten në koalicion dhe se nuk është prishur komunikimi në nivel qeveritar, njofton ina.
VMRO- DPMNE, Qeveria, presidenti Gjorgji Ivanov si dhe partitë e shoqatat maqedonase kanë reaguar ashpër ndaj aktit të kryerjes së homazheve nga ministri i mbrojtjes dhe oficerë të ARM-së në varrezat e dëshmorëve në fshatin Sllupçan të Kumanovës më 13 gusht në ditën e përvjetorit të 11 të Marrëveshjes së Ohrit./standardi.info