Kosova përkujton Arbër Xhaferrin
Në ambientet e Teatrit Kombëtar, në Prishtinë sot pasdite u mbajt një akademi përkujtimore për Arbën Xhaferin, intelektualin e politikanin e përmasave kombëtare, i cili për shumë vite veproi e jetoi në Prishtinë.
Kjo akademi u mbajt nën përkujdesjen e kryeministrit, Hashim Thaçi, i cili e cilësoi Xhaferin si një nga personalitetet më të shquara të skenës politike, intelektuale dhe publicistike të hapësirës shqiptare, mendimtar, filozofi dhe politikë-bërës.
“Arbën Xhaferi ishte figurë publike origjinale dhe unikate që brenda personalitetit të tij përmblidhte në mënyrë simbiotike dhe me harmoni të rrallë dellin e talentit intelektual me atë politik. Në këtë bashkëdyzim qëndronte esenca dhe identiteti i tij, pavarësisht se në cilën fushë shpërfaqej, në kulturë, në publicistikë, në rrafshin konkret të politikës apo diplomacisë.Arbën Xhaferi kishte dhuntinë dhe përgatitjen e lartë teorike si dhe aftësinë e duhur që dukuritë e ndërlikuara shoqërore, filozofike dhe politike, duke i qartësuar dhe konkretizuar deri në vizuelizim. Kjo qartësi buronte nga njohja e thellë dhe e saktë e dukurive, nga mprehtësia e të gjykuarit, nga logjika e hekurt dhe diskursi elokuent i të shprehurit. Pikërisht më këtë aftësi konceptimi të Arbën Xhaferit, shtruarja dhe të kuptuarit e çështjes shqiptare merrte përmasa globale, shfaqet në horizonte të reja, duke tejkaluar copëzimin, jep tërësinë, apo thënë më mirë kuptimësimin e rehatimit të çështjes shqiptare. Ky koncept është më i gjerë, më fleksibël më liberal se vetë relacionet reale të çështjes shqiptare në Ballkan. Është koncept i mendimtarit drejt të cilit e shtyn njohja dhe argumenti shkencor. Cilësi e pashmangshme e mendimit politik të Arbën Xhaferit është njohja rrënjësore e problemeve të zgjidhura e të pazgjidhura kombëtare në Evropë e më gjerë. Prandaj sa herë e shtron problemin e çështjes shqiptare, ai ka pikëshikimin nga largësia, krahasimet, dallimet, që e bëjnë të qartë pikësynimin dhe zgjidhjen tërësore të çështjes shqiptare. Por, mbi të gjitha, Arbën Xhaferi është persistent dhe konsistent në idetë e tij në saje të vetëdijes historike, dijenisë teorike dhe relacioneve të shqiptarëve me fqinjët përreth”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se gjatë qëndrimit në skenën politike Arbën Xhaferi rrezatoi lidership të vërtetë.
Sipas tij, Xhaferri ishte lider dhe mbeti lider deri në fund, duke u shndërruar në misionar. “Shumë procese u avancuan në dobi të shqiptarëve në Maqedoni saje të këmbënguljes, vizionit dhe kërkesave që parashtroi, imponoi dhe projektoi si lider i shqiptarëve të Maqedonisë e më gjerë.Në ditët më të vështira për Kosovën, Arbën Xhaferi luajti rol të rëndësishëm, duke justifikuar potencialin e tij patriotik, politik dhe humanist. Arbën Xhaferi ishte mbështetës dhe përkrahës i natyrshëm i filozofisë politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Arbën Xhaferi do të luajë rol të jashtëzakonshëm në tejkalimin e krizës humanitare të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre në mars prill 1999. Arbën Xhaferi tërë kohën qëndroi në lartësinë elitare dhe lideriste, duke shmangur konvulsionet, tensionimet, edhe atëherë kur në jetën praktike dilnin paradokset tipike te jetës shqiptare”, shtoi Kryeministri kosovar.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, veprimtarë të dalluar të çështjes shqiptare mes tyre Adem Demaçi, si dhe nënkryetari i BDI-së, Rafiz Haliti dhe personalitete tjera politike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe trevat tjera. (INA)