Barërat e kontrabanduara vrasin!
Në tregun farmaceutik të Kosovës, qarkullojnë më të madhe barëra ilegale, të cilat shiten me çmime të ndryshme. Përpos avarisë në çmime, ky lloj tregu mund të ofrojnë barëra me afat të skaduar, të cilat në vend të shërimit mund të jenë armë e heshtur vrasëse për qytetarët.
Barnat e pakontrolluara janë armë që vrasin në heshtje. Qytetarët ndihen të shqetësuar për shkak se barnat nuk kanë çmime të unifikuara, por qe nuk kanë as banderolë. Jo rrallë mund të ndodh qe i njëjti bar, brenda një ditë të kushtojë deri në 50 përqind diferencë në çmim, varësisht barnatoreve. Psh. një bar të quajtur ‘Itamelagin’ mund ta blesh në një barnatore 12 euro e 50 centë, derisa i njëjti bar në një barnatore tjetër, kushton 6 euro e 80 centë.
Pacientja Endrita Kabashi, studente, thotë se në Prishtinë e ka blerë barin ‘Itamelagin” me çmim 12.5 euro, por, për të njëjtin bar në Ferizaj ka paguar 7 euro. Ajo thotë se dallimi kaq i madh në çmime është i pajustifikueshëm, sepse çmimi i barërave është i vënë në bazë të banderolave dhe nuk mund të ketë lëvizje kaq të madhe.
Edhe pacientja tjetër Dafina H, e cila vuan nga një alergji e jashtme në lëkurë, thotë se tash e sa kohë vuan nga alergjia e lëkurës dhe për të trajtuar plagët, ajo përdor barin me emrin ‘Didermal’, por ndodh qe asnjëherë të mos paguaj me çmim të njëjtë, për të njëjtin bar.
“Ka më shumë se 1 vit që unë e përdori këtë barë shërues. Çmimi i këtij medikamendi është prej 2. 30 deri në 4 e 40. Ka pasur edhe raste kur në të njëjtën barnatore të marr këtë medikament, por jo edhe me çmim të njëjtë. Kur kam pyetur te farmacisti për këtë problem se për çfarë arsye ndodh ky ndryshim kaq i madh në çmime, faramacistja u përgjigj se kjo ndodh për faktin se ky ilaç qarkullon në mënyrë ilegale në treg”.
Çmimet e luhatshme tregojnë se medikamentet e ndryshme, (barërat, yndyrat dhe shërbimet tjera medicinave), jo vetëm se vet përcaktohen nga shitësit, por të njëjtit qarkullojnë nëpër treg barëra ilegale. Qarkullimi i barëra ilegale mbjell një tjetër shqetësim për qytetarët për faktin se mos kontrollimi i duhur i medikamenteve, mund të vënë në pikëpyetje cilësinë e barit, afatin e përdorimit, të cilat në vend të shërimit mund të sjellin komplikime shtesë tek përdoruesit. Jo rrallë të kenë ndikim edhe për fatalitet.
Farmacistja Arjeta B, pronare i barnatores “JPh”, thekson se çmimet janë të standardizuara dhe se secili ilaç e ka banderolën të përcaktuar nga vet Ministria e Shendetësisë (ISHP). Ajo thotë se larushia e çmimeve dhe qarkullimi i tregut të zi të barnave jo vetëm se rrezikon shëndetin publik, por atakon edhe tregun e ndershëm.
Edhe farmacistja, Blerta Hoxha, farmaciste, thotë se në barnatoren ku ajo punon, dallojnë çmimet e barnave nga barnatoret tjera.
“Ka shumë dallime në çmime për shkak të tregut të lirë të barnave. Barnatoret që kanë më shumë qarkullim, kanë leverdi dhe beenficione prej depove më të mira, prandaj dhe kanë mundësi t’i zbresin çmimet, derisa barnatoret që nuk kanë shumë punë, nuk kanë mundësi të manipulojnë me çmime. Mendoj që duhet të jetë një çmim prej 25 deri 30 për qind. Ka ankesa shumë nga pacientët për shkak të çmimeve, për shkak se diku rastisin t’i blejnë më lirë, derisa kur hasin në barna të njëjta me çmime më të larta ankohen”, thotë farmacistja Hoxha.
Një farmacist i kryeqytetit thekson se ai beson që 60% e ilaçeve të shitura në farmaci janë të importuara ilegalisht. Ai shton se nuk ka zgjidhje tjetër përveç se t’i shesë sepse Agjencioni i Kosovës për Produkte Medicinale, AKPM – i cili bën licencimin e ilaçeve –por shumë shpesh ka ndodhur qe kjo agjenci nuk ka autorizuar përdorimin dhe shitjen e barërave kryesore, ndër më të kërkuarat në treg.
Haki Ejupi, nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, deklaron se, laramania e çmimeve nëpër barnatore është evidente dhe një gjë e tillë ndodh për shkak të tregut të lirë që ekziston në Kosovë.
“Është evidente që çmimet e barnave nuk janë të unifikuar dhe në shumë raste ato variojnë varësisht nga barnatorja në barnatore. Rregullimi i çmimit të barit parashihet me udhëzime administrative, të cilat janë në përpilim e sipër dhe i rekomandohen Ligjit për produkte dhe pajisje medicinave. Çmimi i barit gjendet në mëshirë të tregtarit dhe atij që tregton me barna. Meqenëse institucionet apo barnatoret që operojnë me barna nuk mund të vendosin një çmim unifikues pasi që nuk ekziston një ligj që e rregullon këtë çështje, tregu është i lirë”, thekson Ejupi.
Përpos laramanisë së çmimeve të barnave, ato edhe kontrabandohen në masë të madhe nga Maqedonia dhe Serbia. Kjo është vërtetuar edhe nga zyrtarët doganorë, të cilët theksojnë se barërat ilegale janë të kushtueshme dhe lehtësisht të transportueshme dhe si të tilla janë më të priturat për kontrabandë. Sipas zyrtarëve doganorë, “mallrat më të kontrabanduara që hyjnë në Kosovë nga Serbia, në rrugë ilegale, janë produktet medicinave”. Kjo tregon pasqyrën më të saktë të mos funksionimit të shtetit. E gjithë kjo avari çmimesh shton dyshimin se edhe në këtë sektor mund të funksionojë ndonjë rrjet i organizuar kriminal, i cili vret qytetarët përmes barërave të pakontrolluara, të dyshuara dhe me afat të skaduar. /Antoneta Marleku (standardi.info).