Kalo te lënda

Armata e Maqedonisë bëhet me një gjeneral

Në kuadër të manifestimeve për shënimin e 20 vjetorit të Armatës së Republikës së Maqedonisë, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm, Gorjanço Kotevski, të premten avancuan me gradën gjeneral oficerin shqiptar Muhamed Racaj.

Në ceremoninë e organizuar në oborrin e Ministrisë, Besimi të pranishmëve iu drejtua në gjuhën shqipe. Ai tha se do të angazhohet për një armatë moderne, e cila do të jetë garanci për paqen dhe stabilitetin dhe ndërtimin e mirëbesimit në vend.

Vetëm brenda këtij viti në kuadër të ARM janë avancuar 62 nga 109 eprorët ushtarakë shqiptarë, si dhe mbi 100 nënoficerë. Sa i përket pozitave udhëheqëse në ARM, po në këtë periudhë, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes janë avancuar në pozita gjithsej 39 shqiptarë dhe paralajmërohet se deri në fund të vitit numri i tyre do të rritet edhe për 18 të tjerë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Koteski nuk e anashkaloi rastin e fundit me përkuljen e ushtarëve të ARM-së në Sllupçan para dëshmorëve të UCK-së. Ai tha se nuk do të lejojë askënd që të keqpërdorë pjesëtarët e ARM-së për përfitime politike. “Si shef i Shtabit, nga të gjithë pjesëtarët e Armatës kërkoj mbështetje, profesionalizëm, disiplinë dhe përgjegjësi në punë. Kjo është më tepër se e nevojshme për realizimin e qëllimeve mbrojtëse. Ata të cilët nuk mund t’i plotësojnë këto kritere dhe vlera morale, nuk e kanë vendin në radhët e Armatës. Nuk do të lejoj thyerjen e shigjetave politike mbi kokat e pjesëtarëve të ARM-së për interesa partiake”, tha Koteski.

Manifestimet për shënimin e 20 vjetorit të ARM-së vazhdojnë nesër me ceremoninë qendrore që do të mbahet në Kazermën Ilinden.

Lini një koment