Kalo te lënda

Vulin: Institucionet e Serbisë mbesin në Kosovë!

Institucionet serbe në Kosovë nuk do të shfuqizohen dhe për këtë as që bëhet fjalë, ka thënë shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.

Sipas tij, të gjithë ata që e njohin Serbinë si shtetin e tyre, presin që të jenë të mbrojtur duke jetuar “në një shoqëri të rregulluar me ligje”.

“Pa institucionet ligjore të këtij vendi, nuk është e mundur kjo. Çdo gjë tjetër do të ishte kontrabandë, ndonjë krim, diçka që shteti nuk mund të lejojë”, tha Vulin për Beta, i cili nuk beson se eliminimi i strukturave në Kosovë është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Së pari, pesë shtetet anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet. Prandaj, ne nuk mund të flasim për qasje unike të BE-së lidhur me Kosovën, gjë që është shumë e rëndësishme për ne. Së dyti, është e pamundur që të kërkohet nga vendet që duan të jenë pjesë e BE-së që të shkelin Kushtetutën dhe ligjet”, tha Vulin.

Në konstatimin se eliminimi i institucioneve serbe në Kosovë është kërkuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë vizitës së saj në Beograd, në gusht 2011, ai thotë se “nuk e ka kuptuar kërkesën e heqjes së institucioneve”.

“Ajo ndryshe e ka formuluar këtë. Por, Kushtetuta jonë është aq e qartë sa që kjo nuk varet nga ne. Gjëja e vetme që është mbi ligjin tonë është e drejta ndërkombëtare. Rezoluta 1244 e njeh qeverinë tonë lokale në mënyrën se si ekziston në krahinë”, shton Vulin.

Sipas tij, realiteti në terren është i tillë që “për sa kohë do të ketë serb në Kosovë, Kosova nuk do të jetë një shtet i pavarur”. Ndërsa, deklaron se nuk do të as ketë shpërbërje të kuvendeve komunale në veri, në Zveçani dhe në Zubin Potok, ku zgjedhjet janë mbajtur jo vetëm me kundërshtimin e organeve të Kosovës, por edhe të qeverisë së kaluar serbe dhe të UNMIK-ut. /Telegrafi/

 

Lini një koment