Sot bëhet varrimi i Arbër Xhaferit
Sot do të bëhet varrimi i ish-liderit të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Arbën Xhaferi, i cili vdiq në orët e pasditës të së mërkurës.
PDSH-ja bëri të ditur se mbledhja komemorative do të mbahet në orën 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa kortezhi për përcjelljen e të ndjerit do të niset nga qendra e Tetovës në orën 13.30 për në varrezat e qytetit.
Xhaferi-një nga themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare, njihej për qëndrimet e tij radikale veçanërisht për kërkesat e tij për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë. Ai vdiq në moshën 64 vjeçare si pasojë e një sulmi të hemorragjisë cerebrale.
Kush ishte Arbën Xhaferi?
Kryetari i nderit i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferi u lind në Tetovë në vitin 1948. Ai do të mbahet mend si një nga mendimtarët që lexoi drejt kalendarin në të cilën jetonte dhe atë kalendar e shënoi me veprimtarinë dhe mendimin e tij që zbërthente dhe u jepte kahë proceseve në mbarë shoqërinë shqiptare.
Pas një sëmundjeje të rëndë, në orët e pasdites ka ndërruar jetë ish-lideri i PDSH-së, Arbën Xhaferi, në Klinikën Neurokirurgjike të Shkupit, ku ishte dërguar para 7 ditësh pas një goditjeje në tru që pësoi derisa qëndronte në banesën e tij në Tetovë.
Nga Klinika kumtuan se Arbën Xhaferi ka pasur trajtim të posaçëm dhe ishin ndërmarrë të gjitha masat, mirëpo nuk i bëri ballë sulmit të hemorragjisë cerebrale, si pasojë e së cilës ndërroi jetë. “Si rezultat i përkeqësimit sekondar, një ditë më parë, edhe përkundër të gjitha përpjekjeve të ekipit të mjekëve dhe ekipit profesionist, zotëri Arbën Xhaferi ndërroi jetë sot në ora 15:50 minuta”,ka bërë të ditur Vlladimir Mirçevski, mjek.
Ndërkohë, PDSH-ja ka bërë të ditur se të enjten (16 gusht 2012) në ora 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, do të mbahet mbledhje komemorative, kurse kortezhi për përcjelljen e të ndjerit, do të niset nga qendra e Tetovës në ora 13.30 për në varrezat e qytetit.
Ish-kryetari i PDSH-së, Arbën Xhaferi, vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte edhe shkak për tërheqjen e tij nga aktivitetet partiake. Megjithatë, ai mbeti deputet për disa mandate që nga viti 1994 në Parlamentin e Maqedonisë.
Arbën Xhaferri lindi në qytetin e Tetovës, më 24 janar të vitit 1948. Karrierën e tij profesionale një kohë të gjatë e kishte ushtruar në Radiotelevizionin e Prishtinës, si redaktor për Kulturë, ndërsa pas viteve ’90, ai u shpërngul në Maqedoni, duke u përfshirë në skenën politike për 18 vjet me radhë.
Arbën Xhaferi është dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare, të cilën e drejtoi deri në vitin 2007. Duke qenë lider i PDSH-së njihet për qëndrimet e tij radikale veçanërisht për kërkesat e tij për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë.
Gjatë luftës së Kosovës, më 1999, partia e tij ishte në pushtet me ç’rast nga faktori ndërkombëtar çmohet për tonet qetësuese pas ballafaqimit të Maqedonisë me krizën e refugjatëve . Edhe gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet dhe është dhe një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit . Pas vendosjes së firmës në dokumentin paqësor, Arbër Xhaferi në gjuhën shqipe kishte deklaruar:
“Sipas nenit 7 të Kushtetutës , alinea 2 , e fitoj të drejtën që të fitoj edhe në gjuhën shqipe në Maqedoni”. Kjo deklaratë kishte shkaktuar nervozizëm në mesin e zyrtarëve maqedonas nënshkrues të dokumentit të Ohrit.
Por, me zvarritjen e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Arbën Xhaferi deklaroi se tërheq firmën nga ky dokument duke synuar një marrëveshje të re politike midis shqiptarëve dhe maqedonasve që përfshin dhe krijimin e një sistemi dydhomësh në institucionin ligjvënës, si forma e vetme që mundëson realizimin kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë.
Arbën Xhaferi njihej për opinionet filozofike gjatë paraqitjeve në media dhe është autor i shumë eseve dhe artikujve analitikë, pas tërheqjes nga politika aktive. Menjëherë pas lajmit për vdekjen e Abën Xhaferit , familjes së tij që ndodhet në Prishtinë dhe Partisë Demokratike Shqiptare në Tetovë, i kanë arritur mesazhe ngushëllimi nga zyrtarë të lartë të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës./standardi.info
Pjesën më të madhe të jetës së vet Arbën Xhaferi e kaloi në Prishtinë, atje ku gjetën strehim shumë intelektualë shqiptarë nga Maqedonia gjatë sistemit socialist.
Xhaferi u kthye në Tetovë në vitet e hutesës së madhe politike që e jetonin shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm ata. Pra, ai u kthye në vendlindje në vitet e kundërshtive të mëdha brenda partisë më të madhe shqiptare, Partisë për Prosperitet Demokratik, e që do përfundonin me përçarjen e saj.
Dhe nga njëri krah i kësaj partie do formohej PDSH-ja e sotme, e cila do drejtohej nga Xhaferi deri në vitin 2007, kohë në të cilën ai ishte kryetar i saj i nderit.
Me kthimin në Maqedoni, në njëfarë mënyre, shqiptarëve, Xhaferi ua ktheu nderin e munguar të mendimit politik shqiptar. Ndaj edhe shumë shpjet u bë figura më e spikatur politike, e cila nga dita në ditë do merrte edhe përmasat e mendimtarit mbarëkombëtar.
Ai ia doli të kontribuojë për faktorizimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe ta përcaktojë vendin e tyre si faktor i rëndësishëm për mbarë shqiptarinë. Duke vepruar në një Maqedoni ku përballë kishte arrogancën e politikës maqedonase, e pas vetes inferioritetin e politikës shqiptare, Xhaferi duhej të ecte drejt së ardhmes si ai që duhet të vinte baraspeshë mes ëndrrave iracionale maqedonase dhe ambicieve shumë tokësore të shqiptarëve.
Pra, ngaqë duhej të vepronte lokalisht, por duke menduar mbarëkombëtarisht, ai herë herë nuk u kuptua drejt as nga bashkëkombësit e vet në Maqedoni, e aq më pak nga maqedonasit etnike, të cilët në fillimet e veprimtarisë së tij politike, mendimin e tij e përjetonin si fatkeqësi natyrore që i ka ndodhur Maqedonisë.
Arbën Xhaferi mbase ishte nga politikanët e rrallë që ia doli nga e përkohshmja, politika, të bëjë shumëçka që atë do e bëjë të përjetshëm në botën shqiptare.
E ajo që atë do e bëjë të pavdekshëm, mbase nuk janë vendimmarrjet politike, të cilat gjithsesi nuk mungojnë, por mendësia e tij, e një filozofi që gjithmonë shihte më qartë e më larg se thuajse të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë.
Kuptohet edhe si i tillë, largpamës e me mendim të ndritur, ai nuk ka mundur ta parashikojë se do vdiste pasditen e kësaj të mërkure gushti, por gjithsesi se më qartë se cilido tjetër, i shihte rrugët e ardhmërisë ngado shkonte kjo shqiptari e copëtuar, të cilës mbase më së shumti i mungojnë njerëz vizionarë si Arbën Xhaferi. /standardi.info
